Nga apartamentet te automjetet bashkë me tokat truall, paratë apo sendet me vlerë që do u merren individëve të lidhur me kriminalitetin do t’u kthehen qytetarëve në formën e “të mirës publike”. Teksa i cilësoi si “karburanti me të cilët furnizohen aktivitetet kriminale”, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tregoi mbi strategjinë e re për menaxhimin e “aseteve të konfiskuara”.
“Janë një numër i konsiderueshëm ndërtesash apo ambientesh që janë konfiskuar dhe janë vënë në shërbim të publikut. Madje dhe vetë Agjencia punon sot në zyra të konfiskuara. Qëllimi ynë është që asetet e konfiskuara, të ruajnë vlerën e mundësisht të rriten në vlera që të inventarizohen si të mira materiale në shërbim të qytetarëve. Qoftë përmes shfrytëzimit nga struktura shtetërore, qoftë edhe dhënies në përdorim privatëve, apo shitjes përfundimtare në ankand, të dyfishtë, siç e parashikon ligji”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Për të rritur efektshmërinë e ripërdorimit të pasurive të konfiskuara për përfitime sociale, ndihmë do të vijojë të japë edhe Bashkimi Evropian.
“Çështja e miradministrimit të pasurive të konfiskuara nga krimi, marrja e pronave nga krimi është faza përmbyllëse e një procesi hetimor të gjatë dhe strapacues. E gjithë kjo përpjeke për të goditur krimin në pikën më nevralgjike që janë asetet dhe pasuritë, kalimi me vendim gjykate në duart e mekanizmave shtetëror shënon momentin kur një e mirë materiale shkëputet përfundimisht nga duart e krimit dhe i kalon shërbimeve publike”, tha Andre Rizzo, Shefi i Sektorit Politik të Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Nga konferenca "Nga Fitimet e Paligjshme te e Mira Publike: E Ardhmja e Aseteve të Konfiskuara" u kërkua ndërkohë më shumë bashkëpunim nga Policia e Shtetit.
“Finalja është shfrytëzimi nga shteti apo dhënies së pronave për përdorim privat apo shitjes në ankand sipas ligjit. Kur një prone nga krimi shkëputet nga gjeneruesi i saj atëherë mund të themi se kemi arritur të fitojmë betejën kryesore kundër krimit të organizuar. Policia duhet të jetë më e gatshme të bashkëpunojë”, tha Juliana Hoxha, Drejtore, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.
Prej vitit 2021 të gjitha pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara do trajtohen nga një Agjenci e vetme dhe me një ligj të posaçëm. Qeveria miratoi projektligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, që pasoi me krijimin e një regjistri të veçantë ku përfshihen edhe pronat e paluajtshme që sekuestrohen të krijuara nga krimi i organizuar.
Ky institucion më herët funksiononte me anë të VKM-ve, duke qenë në varësi të Ministrisë së Financave. (A2 Televizion)