“Marifetet” me fondet për bujqësinë, punime që zvarriten e nuk kryhen, shifra që fryhen e fatura fiktive

Nga Marjo Brakaj
4 Shtator 2024, 16:05 | Ekonomi

Punime që zvarriten, shifra që fryhen dhe fatura fiktive... janë këto tre “marifetet” më të përhapura te ata që marrin fonde për investime në bujqësi e blegtori, por që në fund i fusin në xhepat e tyre.

Pas kontrolleve të kryera në një subjekt përfitues nga fondet IPARD të Bashkimit Europian në vitin 2020 në Delvinë, Ministria e Financave tregon edhe mbi “dredhitë” e përfituesit që shkaktuan një dëm të konsiderueshëm financiar për shtetin, raporton A2.

“Referuar situacionit përfundimtar dokumentohen punime të deklaruara të përfunduara, por në fakt rezultojnë punime të pakryera në vlerën 5.921.765 lekë, me TVSH.”

Supervizori Inxh.A.K, si dhe Kolaudatori Inxh. M.Ç, me veprimet dhe me mosveprimet e tyre, trajtuar hollësisht në Raportin e inspektimit financiar publik, në kohën respektive, kanë ekspozuar buxhetin e shtetit ndaj një dëmi ekonomik, në vlerën prej 24,918,618 lekë, shkruan A2.

Skemë e ngjashme u diktua edhe te një subjekt përfitues në Patos, që do duhej të ndërtonte serra me tunele për kultivimin e produkteve bujqësore, po nga fondet IPARD të Bashkimit Europian.

“Nga ana e Drejtorisë së Kontrollit, rezulton të jenë kryer 4 kontrolle shtesë për punime të fshehura/maskuara për periudhën e parashikuar të punimeve, sipas Raport Progresit të paraqitur nga aplikanti, referuar programeve të punës.”

Përfitime të padrejta në shuma të konsiderueshme, Ministria e Financave ka gjetur pas kontrolleve të kryera edhe te përfitues në zonën e Lushnjës.

“Në përfundim të kontrollit administrativ të dokumentacionit të kryer nga ana e Drejtorisë së Autorizimit të Pagesave dhe të kontrollit në vend/terren kanë rezultuar diferenca në vlerën totale prej 642.150 lekë .Vlera prej 213.071 lekë, vlerësohet përfitim i padrejtë nga ana e Subjektit Përfitues “RGF” shpk.”

“Dredhitë” nga subjektet përfituese, bashkë me shpërndarjen “klienteliste” të fondeve ishin dy ndër gjetjet e Zyrës Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik në një raport-kontrolli që prodhoi pezullimin e fondeve IPARD për fermerët shqiptarë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos