Mbi 300 mijë më tepër se në 2024, Shqipërinë e vizituan 12 milionë turistë në 2025

Nga Marjo Brakaj
5 Janar 2026, 16:30 | Ekonomi

Shqipëria tërheq rekord turistësh, me mbi 12 milionë vizitorë gjatë vitit të shkuar, por të ardhurat mbeten të njëjta për shkak të shpenzimeve të ulëta të turistëve. Buxheti i turizmit për vitin e ardhshëm tkurret me 8.8%, duke lënë më pak fonde për investime dhe projekte zhvillimi. Ministria synon të promovojë vendin si destinacion gjithëvjetor dhe të rrisë ofertën me produkte autoktone.

Shqipërinë e vizituan më shumë se 12 milionë turistë vitin e shkuar. Të dhënat nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit tregojnë se në raport 2024-n, hyrjet e pushuesve të huaj u zgjeruan me rreth 300 mijë.

“Nëse do flasim për numrat, ne numrat i kemi. Numrat janë aty me pak rrite. Por edhe pse numrat janë në rritje ne kemi thuajse të njëjtat të ardhura. Pra kjo do të thotë se ne kemi turistë që shpenzojnë pak dhe kjo nuk është fort pozitive”, deklaroi për A2 CNN Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Veror.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e turistëve të huaj të ardhur vitin e sapo-lënë pas, janë ishin nga shtetet evropiane, ndjekur nga  ata nga Amerika, Azia dhe Afrika. Pjesa më e madh e të huajve që hynë në vend vjet erdhën për pushime, ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme hynë në Shqipëri kalimthi.

“Nëse i referohemi shifrave totale kryesojnë pushuesit nga Kosova dhe turistët italianë. Por kemi gjithashtu edhe spanjollë, çekë, vendet nordike etj.”, u shpreh për A2 CNN Kasa.

Ndonëse me pritshmëri edhe më të larta, turizmi do të ketë më pak para në dispozicion për vitin e ardhshëm. Nga mbi 1 miliardë lekë këtë vit, buxheti për sektorin që është kthyer në motorin kryesor të rritjes ekonomike të vendit reduktohet në 919 milionë lekë. Tkurrja përllogaritet në 88.9 milionë lekë apo 8.8 për qind.

Mbi 300 mijë më tepër se në 2024, Shqipërinë e

 “Ulja e fondeve vjen në një moment të ndjeshëm për sektorin. Turizmi është rritur me ritme të shpejta dhe sfidat po shtohen. Kjo tkurrje buxheti rrezikon që një pjesë e problemeve të akumuluara ndër vite të mos adresohen dot para sezonit të ardhshëm”, tha për A2 CNN Ferjold Ozuni, pedagog, ekspert për turizmin.

Pjesa më e madhe e parave, mbi 654 milionë lekë do të shpenzohen për pagat e punonjësve, energjinë, ujin apo nevoja të tjera për shërbime që institucioni do të ketë. Pjesa tjetër  e parave shkojnë për projekte në fushën e turizmit, si dhe investime.

Mbi 300 mijë më tepër se në 2024, Shqipërinë e

“Kur më shumë se gjysma e buxhetit shkon për shpenzime korrente, hapësira për projekte zhvillimi dhe investime mbetet shumë e kufizuar. Nevojiten fonde reale për infrastrukturë turistike, për menaxhim destinacionesh dhe për standarde më të larta shërbimi”, vijoi për A2 CNN Ozuni.

Për vitin 2026, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka shpallur si përparësi të promovojë Shqipërinë si një destinacion gjithëvjetor, të zhvillojë ofertën me produkte autoktone, duke i promovuar këto të fundit në panaire ndërkombëtare. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos