“61 vjeç e gjysmë akoma nuk kam dalë në pension”- Kështu është shprehur Mirela, e cila me hyrjen e janarit priste të dilte në pension. Por ajo duhet të presë edhe 6 muaj të tjerë për ta përfituar.
“Do më ndihmonte dalja në pension. Do punoj se jam me qira. Dua që tani të dalë në pension e mos të vete më në punë, por ma bën halli të vete”, tha ajo më tej.
Mosha e daljes në pension për gratë është rritur nga ky muaj. Nëse në vitin 2025 një grua duhet të kishte 38 vite vjetërsi pune, për të dalë në pension 61 vjeçe e 10 muaj, këtë vit ajo del në pension edhe 2 muaj më vonë.
Këto janë efektet e reformës që hyri në fuqi në janar të vitit 2015, e cila parashikon një rritje graduale të moshës dhe vjetërsisë në punë.
Për qytetarët e kësaj grupmoshë, një rritje e tillë nuk mirëpritet.
“Negative është se unë dua ta ha pensionin jo të më hajë pensioni mua. Si i thonë asaj hidh ujë e hidh miell nuk bëhet buka fare. Ka njëfarë moshe që del. Unë pres të dalë në pension mi shton prapë t’i mua.”
“Nëse mezi po ngrihemi nga krevati jo më të punojmë.”
Ndryshe me gratë, për burrat mosha e daljes në pension mbetet 65 vjeç dhe nuk do të ndryshojë deri në vitin 2032. Pas 2032-shit do të vijojë të rritet me 1 muaj për çdo vit, dhe sipas ligjit ‘Për Sigurimet Shoqërore’, deri në vitin 2056 mosha e daljes në pension si për burrat dhe për gratë do të barazohet në 67 vjeç.
Për të dyja gjinitë rriten edhe vitet e punës që në nisje të 2026-ës. Për të dalë në pension këtë vit dhe ta përfitosh atë të plotë duhet të kesh 39 vite punë ose 4 muaj më shumë sesa vitin që lamë pas. Vitet e sigurimit do të rriten gradualisht deri në 40 vite punë brenda 2029-ës. (A2 Televizion)