Bukuritë natyrore dhe kosto e ulët nuk mjaftojnë... Që nami i mirë të dalë e kurioziteti të vazhdojë ka nevojë për promovim. Shumë gjëra të vogla janë bërë të mëdha nga mënyra e duhur e të reklamuarit. E njëjta ndodhi edhe me Shqipërinë, që vijon të mirëpresë miliona të huaj. Por si çdo gjë, edhe kjo arritje po e ka një çmim. Gati 334 milionë lekë apo rreth 3.3 milionë euro u shpenzuan vetëm në 4 muajt e parë vjet për panaire, takime, reportazhe apo artikuj ku u promovuan bukuritë natyrore të vendit.
“Marketingu është një nga degët që nuk duhet të zhduket asnjëherë, veçanërisht në turizëm dhe përgjithësisht në ekonomi. Nëse do që të jesh i dukshëm dhe prezent duhet të marketosh. Në shpenzosh 2 milionë euro për marketing dhe të gjenerosh 4.8 miliardë euro të ardhura, kjo është fantastike. Çdo biznes do e dëshironte”, u shpreh Ferjolt Ozuni, pedagog, ekspert i turizmit.
Vetëm për statusin e “Vendit të Nderit” bashkë me pjesëmarrjen dhe prezantimet, Shqipëria shpenzoi plotë 162 milionë lekë apo mbi 1.6 milionë euro në panairi e turizmit në Berlin të Gjermanisë që u zhvillua në fillim të marsit. Mbi 86 milionë lekë apo rreth 860 mijë euro kanë shkuar vetëm për promovime në media kryesisht të huaja, ndërsa 50.7 milionë lekë për monitorimin e vijës bregdetare të vendit.
“Shqipëria ka bukuri të jashtëzakonshme, por shpenzimet e marketingut shpesh nuk janë të mençura. Panairet dhe reportazhet janë të rëndësishme, por pa një strategji të qartë dhe fokus në rezultate reale, shumë para harxhohen pa prodhuar efektin e duhur”, u shpreh Ferjolt Ozuni, pedagog, ekspert i turizmit.
Dikur vendi më i izoluar i Europës, vitin e shkuar veçanërisht, vendi u kthye në një destinacion popullor turistik të preferuar për shumëkënd, ndërsa dhjetëra artikuj për “perlën e panjohur të Mesdheut” qarkulluan në mediat ndërkombëtare. Por këtu ekspertë të fushës kanë disa këshilla.
“Audienca duhet të jetë e targetuar. Të bësh marketing në media shumë ekskluzive si “The Economist” apo BBC shpesh nuk kapin të gjitha target grupet e turistëve që ne na interesojnë. Po këto do të jenë, kur siç qeveria thotë, ne të kemi turizëm elitar. Sot duhet të përqendrohemi te kanalet që ndiqen nga shtresat e mesme të popullsive”, tha Ferjolt Ozuni, pedagog, ekspert i turizmit.
Promovimi përmes emisioneve televizive, platformave sociale apo fushatave të marketingut janë një praktikë e zakonshme e promovimit turistik të një vendi dhe sipas ekspertëve të turizmit, edhe një nga faktorët e suksesit turistik të Shqipërisë. Sipas tyre, ka rëndësi që këto përpjekje të vijojnë që “të mbajmë namin e mirë dhe që kurioziteti të vazhdojë.” (A2 Televizion)