"Cenon ekonominë”, APL kërkon shfuqizimin e disa neneve në Kodin e ri Penal

Nga Marjo Brakaj
18 Gusht 2025, 17:48 | Ekonomi

Në një kohë kur ekonomia kërkon stabilitet dhe tregu i lirë duhet të funksionojë pa pengesa, Kodi i ri Penal po sjell debate të forta. Ekspertët paralajmërojnë se disa nga ndryshimet e propozuara mund të cenojnë lirinë ekonomike dhe të ndërhyjnë drejtpërdrejt në mënyrën se si funksionojnë bizneset në vend.

Aleanca e Profesionistëve të Lirë e ka bërë hapin e parë tashmë, duke i kërkuar Ministrit të Drejtësisë rishikime që të ruajnë balancën mes drejtësisë dhe tregut të lirë.

“Projekt-Kodi përfshin dispozita që zgjerohen përtej fushës tradicionale të së drejtës penale, duke penalizuar sjellje që deri më tani janë trajtuar përmes instrumenteve civile ose administrative. Një qasje e tillë kërkon vlerësim të kujdesshëm për të ruajtur parimin e proporcionalitetit dhe për të shmangur mbivendosjen e panevojshme të mekanizmave ndëshkues.”

Po propozimet në Kodin e ri Penal parashikojnë që në rast shkeljesh, për disa lloj abuzimesh propozohet dënim me burg, përveç penalitetit. Kjo situatë për ekspertët e fushës do të cenojë  marrëdhëniet mes administratës dhe tatimpaguesve.

“Neni 537 i projekt-ndryshimeve në Kodin Penal, që parashikon ndëshkime për “tarifa të papërshtatshme të shërbimit”, duhet të rishikohet me prioritet. Në një ekonomi tregu, çmimet përcaktohen nga marrëdhënia kërkesë–ofertë dhe natyra e shërbimit, jo nga sanksione penale. Vetë nocioni “tarifë e papërshtatshme” është juridikisht i paqartë dhe nuk mund të përbëjë objekt të së drejtës penale.”

Kodi i ri Penal përmban 952 nene. Prej fundit të muajit korrik drafti është publikuar në faqen e Ministrisë së Drejtësisë dhe ka hyrë në fazën e konsultimeve.

“Neni 604 i projektit parashikon se mospagimi, brenda afatit ligjor, i detyrimeve tatimore të vetëdeklaruara përbën kundërvajtje penale, e dënueshme me gjobë ose burgim deri në një vit. Ky është një zgjerim i konsiderueshëm i ndërhyrjes penale në marrëdhënie fiskale, pasi situata të tilla kanë qenë më parë objekt i procedurave administrative ose civile. Penalizimi penal i mospagimit, pavarësisht nëse buron nga pamundësia objektive apo nga harresa, nuk dallon mes qëllimit për shmangie dhe vështirësive reale të tregut.”

Diskutimet dhe debatet mbi Kodin e ri Penal që pritet të miratohet në muajt në vijim do të jetë një nga çështjet më me interes, lidhur me një sërë risish që këto ndryshime sjellin në disa sektorë të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos