
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Belndi Gonxhja, prej disa ditësh ndodhet në Arabinë Saudite, ku po merr pjesë si përfaqësues i Shqipërisë, nga 160 vende pjesëmarrëse, në Asamblenë e Përgjithshme të UN Tourism në Riad.
Gonxhja ishte një ndër 31 folësit e zgjedhur! “Në fjalën time fola mbi punën tonë për përmirësimin e përvojës së vizitorit dhe zgjatjen e sezonit turistik, diversifikimin e ofertës turistike përtej zonave bregdetare duke fuqizuar zonat rurale dhe komunitetet lokale. Për miratimin e Standardeve Ndërkombëtare të Qëndrueshmërisë (GSTC) dhe krijimin e destinacioneve “inteligjente”, të përditësuara nga të dhëna në kohë reale për menaxhimin e fluksit të vizitorëve dhe mbrojtjen e burimeve.
Turizmin si një sektor ndërdisiplinor, ku teknologjia, kreativiteti, aktivitetet dhe trashëgimia kulturore ndërveprojnë”, tha ministri në një postim në Facebook, përcjell A2 CNN.

“Inteligjencën Artificiale që mbështet kalimin nga “volumi i turizmit” në “turizmin cilësor” duke mundësuar menaxhimin e të dhënave, ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, luftimin e informalitetit, zhvillimin ekonomik, duke gjeneruar rritjen dhe optimizimin e përgjithshëm të industrisë së turizmit.
Shqipërinë që tashmë ka ndërtuar një themel të fortë në transformimin dixhital. Qytetarët aksesojnë shërbimet publike përmes platformës e-Albania, e cila standardizon e garanton transparencën në institucionet qeveritare. Kjo qasje digjitale forcohet më tej nga Ministri i Shtetit për Inteligjencën Artificiale - Diella, ministrja e parë në botë e IA, duke integruar të gjithë sektorët strategjikë, përfshirë turizmin.
Fola gjithashtu për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, përmes programeve të trajnimit për profesionistë të pazëvendësueshëm të mikpritjes, artizanët si dhe punonjësit e kulturës; duke siguruar nga ana tjetër teknologjinë si mjet për të rritur cilësinë, efikasitetin dhe inovacionin brenda sektorit, duke digjitalizuar, automatizuar dhe kursyer.
Falënderova Mbretërinë e Arabisë Saudite për mikpritjen e shkëlqyer, duke riafirmuar mbështetjen tonë për Deklaratën e Riad për të ardhmen e turizmit!
Shpreha mirënjohje për Sekretarin e Përgjithshëm, Zurab Pololikashvili për kontributin dhe udhëheqjen e tij të çmuar, si dhe urova Sekretaren e Përgjithshme të zgjedhur, Sheikha Al Nowais, në misionin e saj të ri!”. (A2 Televizion)
