Tirana kthehet këtë javë në qendrën botërore të sigurimeve

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2025, 18:07 | Ekonomi

Tirana kthehet këtë javë në qendrën botërore

Tirana kthehet këtë javë në qendrën botërore të sigurimeve, duke pritur aktivitetet e Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), ngjarjen më prestigjioze në këtë fushë, që zhvillohet në datat 10-14 nëntor 2025.

Ky aktivitet global organizohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në bashkëpunim me IAIS, dhe për herë të parë mbahet në Shqipëri, duke e renditur Tiranën krah qyteteve që kanë pritur edicionet e mëparshme, si Tokio në vitin 2023 dhe Cape Town në 2024.

Gjatë datave 10-12 nëntor po zhvillohen mbledhjet teknike të komiteteve dhe takimet bilaterale, me fokus forcimin e mbikëqyrjes efektive, promovimin e parimeve dhe standardeve ndërkombëtare, si dhe nxitjen e zhvillimit të produkteve të reja e praktikave më të mira në tregun e sigurimeve.

Në datat 13-14 nëntor do të mbahet Konferenca Vjetore e IAIS, me temë “Navigating Uncertainty: Enhancing Societal Resilience Amidst Growing Complexity”, e cila mbledh në Tiranë rreth 530 përfaqësues nga autoritete mbikëqyrëse, kompani sigurimi dhe institucione financiare ndërkombëtare.

Dita e dytë e konferencës do të përshëndetet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa në fokus të diskutimeve do të jetë qëndrueshmëria e tregut global të sigurimeve dhe rritja e rezistencës së shoqërive përballë sfidave komplekse, shkruan A2 CNN.

Drejtoresha e përgjithshme e AMF-së, Mimoza Kaçi, e cilësoi këtë aktivitet si një moment historik për Shqipërinë dhe për Autoritetin, duke theksuar se organizimi i IAIS në Tiranë e pozicionon vendin tonë si një partner të besueshëm në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos