Nga aksioni në aksion, Tatimet në “sitë” tregtinë online, aksionet dhe makinat

Nga Marjo Brakaj
26 Janar 2026, 14:44 | Ekonomi

Pas turizmit dhe ndërtimit, aksionet kundër informalitetit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të përfshijnë tregtinë online apo shitblerjen e aksioneve të kompanive, shkruan A2.

“Janë duke u mbledhur të dhëna qoftë nga bankat për pagesa apo nga platforma digjitiale. Aksione të tjera kanë të bëjnë me shitjen e makinave. Është duke u konkluduar faza e parë me 100 individë. Aksionet që shiten ndërmjet individëve nuk reflektojnë vlerën e tregut”, tha Ilir Binaj, Drejtor i Përgjithshëm i DPT-së.

Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri një bilanc të efekteve nga aksionet informalitet të ndërmarra deri më tani në sektorin e turizmit. “Në sektorin e turizmit, për periudhën janar–shtator 2025, numri mesatar i punonjësve u rrit me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Fondi i pagave u rrit me 18%, duke arritur në rreth 162 mln euro, ndërsa kontributet shoqërore dhe shëndetësore u rritën gjithashtu me 18%, duke arritur 46 mln euro. Për rreth 118 mijë të punësuar të sektorin e ndërtimit, kemi pasur rritje të fondit të pagave në muajin dhjetor me 9%, krahasuar me muajin shtator 2025, duke arritur në 78 mln euro”, tha Malaj.

Nga konferenca konferencë lidhur me zbatimin masave kundër informalitetit, si pjesë e Strategjisë së Administrimit të të Ardhurave 2024–2027, Ministri i Financave tregoi edhe se kur do të nisë rivlerësimi i pronave me 5 për qind. “Ligji ka hyrë në fuqi më datë 22 janar dhe udhëzimet plotësuese pritet të hynë në fuqi brenda gjysmës së parë të muajit shkurt”, tha Malaj.

Petrit Malaj foli edhe mbi faturën që shkaktuan përmbytjet e këtij fillim-viti. “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ende po punon. Ne po ashtu. Ende nuk kemi një faturë finale. Por dëmshpërblimet do ju jepen të gjithë të prekurve”, u shpreh ministri.

Pas ligjit për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet i cili prite të bëhet i zbatueshëm së shpejti, qeveria mund të aplikojë formulë të ngjashme edhe për zjarret e përmbytjet. Qytetarët dhe bizneset do duhet të sigurojnë me detyrim pronat e tyre edhe nga këto fatkeqësi të tjera natyrore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos