Nga Durrësi për gjithë Shqipërinë, turistët vlerësojnë detin, historinë, ushqimin dhe njerëzit e mirë

Nga Elitjona Doko
22 Korrik 2024, 16:03 | Ekonomi

Qyteti i Durrësit gjatë këtij sezoni turistik mbetet një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Përveçse plazheve të shumta, Durrësi ofron edhe një histori gati 3 mijë vjeçare, me një trashëgimi të pasur kulturore. Shumica e këtyre turistëve që vijnë për herë të parë në vendin tonë tregojnë eksperiencën e tyre pozitive teksa pushojnë buzë Adriatikut, ndërsa emëruesi i përbashkët mbetet ushqimi i mirë dhe menuja e pasur.

“Është hera e parë në Shqipëri dhe kam qenë në Durrës, Sarandë Golem dhe Vlorë. Ushqimi më pëlqen më shumë, është vërtetë shumë i mirë dhe çmimet janë disi më të lira seç jemi mësuar në vende tjera. Ne shkuam dhe tek syri i kaltër në Sarandë. Shumë këndshëm, u zhyta në ujë edhe pse shumë i ftohtë, por ishte bukur”, thonë turistët.

“Sarandën e pëlqeva më shumë se Durrësin. Deti, uji blu… ishte shumë shumë bukur. Më pëlqeu shumë ushqimi, plazhet... Njerëzit në veri ishin shumë të këndshëm”

Teksa jugu mbetet më i preferuar për detin dhe peizazhin natyror që ofron, Durrësin e zgjedhin për historinë që fsheh brenda tij.

‘’Është hera e katërt që vizitoj Shqipërinë dhe për herë të parë në Durrës. Është një qytet kaq i bukur për shkak të kësaj pamjeje të se vjetrës dhe të resë. Njerëzit janë shumë miqësorë e të këndshëm. Për të mos folur pastaj për ushqimin në Shqipëri. Tashmë ai është i njohur për shijen e tij të shkëlqyer’’

Kur jemi në pikun e sezonit veror, njësitë akomoduese janë pothuajse 100% të rezervuara me qëndrime mbi 5 ditore, ndërsa përvoja pozitive e turistëve është një nxitje për operatoret privatë dhe publikë që të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve për të siguruar një turizëm të qëndrueshëm në vazhdim. Numri në rritje i shtetasve të huaj vihet re edhe në Portin e Durrësit ku përgjatë fundjavës kanë hyrë mbi 14, 145 udhëtarë, ndërsa tragetet kanë operuar me lundrime të dyfishuara nga Durrësi drejt brigjeve italiane dhe anasjelltas. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos