
Nga shpenzimet ditore te ato mujore për faturat e dritave e ujit, apo pagesat e tjera bashkë me pronat apo makinat luksoze... disa personat me të ardhurat më të larta në vend janë “skanuar” nga Administrata Tatimore. Kjo me qëllim identifikimin e burimit të të ardhurave dhe shlyerjen e detyrimeve tatimore.
Etleva Treska, eksperte kontabël, shprehet: “Administrata Tatimore po ndjek një qasje të bazuar te analiza e riskut. Individët me pasuri apo shpenzime të konsiderueshme kanë një probabilitet më të lartë që të kenë mospërputhje mes të ardhurave të deklaruara dhe nivelit të jetesës. Pikërisht këto raste verifikohen për të garantuar zbatimin e ligjit."
Janë 129 individëve të pasur të kontrolluar nga tatimet deri në qershor. Nga hetimet u gjetën 770 mijë euro të padeklaruara.
"Në Shqipëri ka ende individë që nuk e konsiderojnë të domosdoshme deklarimin e plotë të të ardhurave. Kjo krijon diferenca mes asaj që deklarohet dhe asaj që shfaqet në praktikë, ndaj kontrollet synojnë të rrisin transparencën dhe ndërgjegjësimin fiskal”, vijon Treska.
Për të vërtetuar se paratë e harxhuara nuk janë përftuar nga aktivitete të paligjshme, po krahasohet vlera e shpenzuar me të ardhurat që individi ka pasur. Ndërkohë do të ngrihet edhe Regjistri i Aseteve të tatimpaguesve me synimin e një vlerësimi real të pasurive të individëve apo bizneseve.
“"Regjistri i aseteve do t'i japë administratës një panoramë më të plotë të pasurisë së tatimpaguesve. Duke krahasuar vlerën e pronave apo automjeteve me të ardhurat e deklaruara, bëhet më e lehtë identifikimi i rasteve që kërkojnë hetim të mëtejshëm dhe shmangia e evazionit fiskal", shprehet ajo.
Nga ana tjetër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, “tatimet” do të “fusin në lupë” të gjithë zotëruesit e makinave luksoze në vend. Për të vërtetuar se paratë me të cilat është blerë automjeti nuk janë përftuar nga aktivitete të paligjshme, do të krahasohet vlera e makinës me të ardhurat personale që zotëruesi i saj ka pasur gjatë këtij viti. (A2 Televizion)