Tensionet në Lindjen e Mesme rikthejnë rritjen e çmimit të naftës në tregjet botërore. Efekti mbërrin edhe në Shqipëri, ku karburantet shtrenjtohen sërish. Konsumatorët përballen me një tjetër goditje në xhep.
Paqja e brishtë zgjati më pak se një muaj. Po aq edhe çmimet “normale” të karburanteve. Nga më pak se 72 dollarë për fuçi në fund të qershorit, çmimi i naftës së papërpunuar bruto në bursë është rritur në mbi 90 dollarë.

Kjo pas rinisjes së sulmeve amerikane në Iran.
"Tregjet ndërkombëtare reagojnë shumë përpara se të krijohet mungesa fizike e naftës. Vetë pasiguria dhe pritshmëritë për një përshkallëzim të konfliktit mjaftojnë që bursat të rrisin çmimet. Më pas ky efekt transmetohet në të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga importuesit deri te konsumatori final", u shpreh Artur Ribaj, pedagog, ekspert ekonomie.
Në Shqipëri, ndikimi ndihet shpejt dhe fortë. Një litër naftë shkoi deri në 196 lekë litri këtë të hënë, nga 176 lekë që ishte me vendimin e fundit të bordit të transparencës. Ndërsa benzina ka arritur deri në 186 lekë për litër nga 166 lekë rreth një muaj më parë.

"Shqipëria është një ekonomi e vogël dhe pothuajse e ekspozuar plotësisht ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare. Kur rriten kostot e importit, efekti nuk mbetet vetëm te karburantet, por reflektohet edhe te transporti, prodhimi dhe çmimet e shumë mallrave e shërbimeve", tha Artur Ribaj, pedagog, ekspert ekonomie.
Me qeverinë që zhbëri Bordin e Transparencës dhe trupat inspektuese, përcaktimi i çmimi ka mbetur vetëm në dorë të operatorëve në tregun e karburanteve. Autoritetit i Konkurrencës “ka ngritur duart” prej kohësh në kë drejtim.

"Në një treg funksional duhet të ketë monitorim dhe konkurrencë reale, në mënyrë që luhatjet e çmimeve të jenë të justifikuara. Kur mungojnë mekanizmat efektivë të mbikëqyrjes, krijohen dyshime se konsumatori mund të paguajë më shumë sesa diktojnë zhvillimet reale në tregjet ndërkombëtare", u shpreh Ribaj.
Shqipëria është aktualisht vendi i parë në rajon, i shtati në Europë dhe i 10-i në botë për çmimin më të lartë të naftës. Në botë është Hong-Kongu shteti me çmimin më të lartë për një litër naftë, mbi 3.77 euro për litër.
(A2 Televizion)