“Pasiguria e krijuar nga protestat po dëmton investimet ndërsa bizneset nuk janë mbrojtur mjaftueshëm nga policia”. Teksa shpreh shqetësimin për situatën e krijuar, duke ri-sjellë në vëmendje klimën jo fort të favorshme të të bërit biznes në Shqipëri, Dhoma Amerikane e Tregtisë nuk i kursen kritikat për institucionet në drejtim të menaxhimit të tensioneve.
AMCHAM: “Këtyre sfidave të vazhdueshme u shtohet sot edhe pasiguria e krijuar. Sipas raportimeve që na janë përcjellë, shumë biznese janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa kanë shprehur ndjesinë se kanë mbetur pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse. Pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vijimësia e punës”.
Në një deklaratë publike, ajo paralajmëron se bizneset po përballen me dëme, ndërprerje të aktivitetit dhe mungesë të mbrojtjes së nevojshme, ndërsa kërkon ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve për garantimin e sigurisë.
AMCHAM: “Pavarësisht këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, shumë prej shqetësimeve dhe rekomandimeve të anëtarëve tanë nuk kanë marrë vëmendjen dhe konsideratën e duhur. Konsultimi efektiv me komunitetin e biznesit është thelbësor për hartimin e politikave të qëndrueshme, forcimin e besimit te institucionet dhe krijimin e një klime investimesh të parashikueshme dhe konkurruese”.
Sipas Dhomës, garantimi i sigurisë publike, mbrojtja e njerëzve dhe pronës private, respektimi i shtetit të së drejtës dhe parandalimi i përshkallëzimit të situatës kërkojnë veprim të koordinuar nga institucionet përgjegjëse.
AMCHAM: “Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri u bën thirrje Qeverisë, institucioneve përgjegjëse dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës aktuale. Veprimet e menjëhershme, të koordinuara dhe të përgjegjshme janë thelbësore për uljen e tensioneve, garantimin e sigurisë publike, mbrojtjen e njerëzve dhe të pronës publike e private, si dhe ruajtjen e vijimësisë së aktivitetit të bizneseve”.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe tetë shoqata të biznesit shprehën më herët shqetësimin për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave. Ngjashëm reagoi edhe Shoqata Shqiptare e bankave e cila u kërkoi autoriteteve të marrin masa për të parandaluar dëmtimin e tyre. (A2 Televizion)