“Pasqyra e çmimeve” do të jetë një mundësi që përmes konkurrencës të reflektohet në ulje të çmimeve por njëkohësisht është i ndryshëm nga modeli i Greqisë. Për ekspertët forma më e mirë do të ishte pasqyrimi i vlerave që në prodhim duke analizuar dhe kostot
“Një mekanizëm i tillë do të kishte më shumë vlerë nëse do të përfshinte të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga prodhuesi te konsumatori. Vetëm duke identifikuar se ku krijohen kostot shtesë dhe sa është marzhi në secilën hallkë, mund të kuptojmë pse një produkt që del me një çmim nga ferma mbërrin shumë më i shtrenjtë në tryezën e qytetarit.”
Në platformë janë pasqyruar çmimet e 238 produkteve në pesë rrjete supermarketesh për një total prej 155 dyqanesh, nga të cilat 109 ndodhen në Tiranë.
“Për të pasur një panoramë reale të tregut, duhet të kemi të dhëna të përditësuara dhe përfaqësuese për të gjithë vendin. Konsumatorët në qytete të ndryshme përballen me kushte të ndryshme furnizimi dhe kostoje, ndaj një pasqyrë e kufizuar gjeografikisht nuk mjafton për të kuptuar plotësisht situatën e çmimeve në Shqipëri.”
Por Shqipëria nuk është vetëm Tirana dhe çmimet nuk ulen me urdhër, me lista publike apo me portale që krahasojnë etiketat. Ulen kur ekonomia prodhon më shumë, kur taksat mbi produktet bazë rishikohen dhe kur institucionet godasin abuzimi.
“Duhet të krijohen kushte që prodhimi vendas të jetë konkurrues dhe produktet të mbërrijnë te konsumatori me sa më pak kosto ndërmjetëse. Kjo kërkon mbështetje për fermerët, përmirësim të infrastrukturës së grumbullimit dhe magazinimit, si dhe politika fiskale që lehtësojnë blerjen e produkteve bazë. Transparenca është e nevojshme, por ajo duhet të shoqërohet me masa konkrete që ndikojnë në formimin e çmimit.”
Ekspertët vijojnë të kërkojnë nga institucionet të përqendrohen te goditja e abuzimeve. Si rënia e euros për shembull që nuk po kalon e plotë te konsumatori. Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, çmimi mesatar për kilogram i importeve të ushqimeve, pijeve dhe duhanit ra me 6.5 për qind, por çmimet e ushqimeve në treg u rritën. (A2 Televizion)