“Rrezik për pastrim parash”, BE dhe AmCham të shqetësuar për “paqen fiskale me biznesin”

Nga Marjo Brakaj
11 Dhjetor 2025, 15:09 | Ekonomi

Bashkimi Evropian dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë e shohim me shqetësim nismën e qeverisë të pagëzuar si “Paja fiskale me biznesin”. Në një përgjigje për A2CNN, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë argumenton se veç cenimit të barazisë tatimore, nisma mund të krijojë shtigje për pastrimin e parave.

Komisioni Evropian ka diskutuar nismën për “Paqen Fiskale” me autoritetet shqiptare, përfshirë edhe gjatë takimit të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet, më 25–26 nëntor. Gjatë këtyre diskutimeve, Komisioni ngriti shqetësime serioze lidhur me rrezikun që kjo nismë të dekurajojë përmbushjen e detyrimeve tatimore. Po ashtu, ai përsëriti domosdoshmërinë që propozimi të përfshijë garanci të forta kundër pastrimit të parave, ndërkohë që vijon puna për reduktimin e numrit të madh të përjashtimeve tatimore. Komisioni pret që këto shqetësime të adresohen në mënyrë të plotë.

BE për A2 CNN

Me Shqipërinë që synon të përmbyllë me sukses negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2027, kërkohet që vendi mos i largohet legjislacionit europian dhe të zbatojë rekomandimet e Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Pastrimin e Parave dhe Luftës kundër Financimit të Terrorizmit.

Gjithashtu, rikujtojmë se Qëndrimi i Përbashkët i BE-së për klasterin e themeleve thekson se çdo amnisti fiskale apo program deklarimi vullnetar duhet të jetë në përputhje me planet e Shqipërisë, të kontribuojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe të harmonizohet me acquis të BE-së dhe me standardet ndërkombëtare përkatëse, përfshirë ato të Moneyval dhe FATF.

BE për A2 CNN

Ngjashëm ka reaguar edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë duke argumentuar se “nisma mund të sjellë pasoja serioze ekonomike dhe fiskale.”

Projektligji prek disa parime bazë të së drejtës tatimore dhe kushtetuese, duke përfshirë: parimin e barazisë para ligjit; parimin e sigurisë juridike; parimin e proporcionalitetit; parimin e trajtimit të barabartë të tatimpaguesve. Projektligji nuk shoqërohet me aktet nënligjore që do të mundësonin zbatimin e tij, ndërkohë që parashikohet që këto akte të miratohen tre muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit – një afat që krijon pasiguri të lartë ligjore dhe operacionale.

AmCham

Ashtu si Bashkimi Evropian apo Fondi Monetar Ndërkombëtar më herët, edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson se “paqja fiskale me biznesin” sjell “mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë.”

Mungesa e detyrimit për të verifikuar origjinën e fondeve krijon rrezikun që përmes kësaj skeme të legalizohen kapitalet me burim të paqartë ose potencialisht kriminal. Mospërfshirja e mekanizmave të fortë të kontrollit në përputhje me legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe përjashtimi i audituesve nga përgjegjësitë për diferencat e krijuara e shtojnë rrezikun që kjo nismë të perceptohet si një formë e tërthortë e amnistisë fiskale.

AmCham

Me “paqen fiskale me biznesin”, qeveria fal 525 milionë euro detyrime të papaguara të bizneseve në Tatime dhe Dogana deri më 31 dhjetor 2014. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos