Çmimet e produkteve dhe shërbimeve u rritën edhe në nëntor. Ato kushtuan 2,1 për qind më tepër se nëntorin e vitit të shkuar.
“Pension 138 mijë lekë, rritje 3 mijë lekë... do shkosh të marrësh një byrek tre ditë... ça marr unë me ato...141 mijë lekë? Kush ma shpjegon? Zarzavatet janë shumë të mira por nuk i blejmë dot. Ja kam blerë çaj se jam me grip mos ta ngjis edhe ty”, thonë qytetarët.
Pozitivja është se inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë rritjes së çmimeve ishte 0.2 për qind më i ulët se në tetor.

Kjo në një kohë që konsumi u zgjerua si pasojë edhe e kërkesës së shtuar nga turistë. “Ka pasur pak rritje por të lehtë të çmimeve do të thosha. Tani pritet vala e shtrenjtimit pasi gjithçka vjen nga jashtë e nuk ka më prodhim vendas”, thotë për A2 CNN një tregtar.
Veç ushqimeve të cilat u rritën me 1.5 për qind krahasuar me nëntorin e një vit më parë sipas për llogaritjeve të Institutit të Statistikave, në rritjen e inflacionit në nëntor ndikim patën edhe qiratë e apartamenteve. Kjo si pasojë e flukseve të shtuara të studentëve që kërkonin një strehë në prag të vitit të ri akademik.
“Çmimet brenda një viti janë rritur nga 20 deri në 25% diçka që është e vështirë edhe për qytetarët”, thotë për A2, Reinaldo Pipiria, kryetar i NAREA.
Flukset e shtuara të turistëve bënë që inflacioni gjatë nëntorit te baret dhe restorantet të rritej në 2.3 për qind nga 2.4 për qind që në tetor.

“Çmimet kanë tendencën të përshtaten shumë më shpejt kur ka rritje kostosh, ndërsa kur kostot bien, tregu është më i ngadalshëm në reflektim. Kjo lidhet edhe me pritshmëritë e biznesit, mungesën e konkurrencës në disa segmente apo edhe zinxhirët e furnizimit që reagojnë me vonesë”, thotë Ilir Pilku, pedagog, ekspert për ekonominë.
Ekspertët paralajmërojnë ndërkohë se kërcënimi i një vale të re inflacioni mbetet i gjallë, sidomos për shkak të zhvillimeve gjeopolitike.
“Luhatjet në çmimet ndërkombëtare të naftës, rritja e kostove të transportit detar për shkak të konflikteve, si dhe tensionet në tregjet ushqimore, janë faktorë që mund ta kthejnë inflacionin në një rrezik të ri. Shqipëria është e ekspozuar ndaj këtyre zhvillimeve për shkak të varësisë nga importet”, thotë Pilku.
Në mbajtjen e inflacionit poshtë nivelit 3 për qind kontribut të rëndësishëm ka dhënë zhvlerësimi i euros. Kjo si pasi produktet e importit po blihen më lirë. (A2 Televizion)