374 miliardë lekë deri në nëntor. Kredia zgjerohet pavarësisht kufizimeve të Bankës së Shqipërisë

Nga Marjo Brakaj
31 Dhjetor 2025, 16:33 | Ekonomi

Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë morën mbi 32 miliardë euro në nëntor. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se marrë që nga fillimi i vitit, kredia e re e marrë kapi shifrën e mbi 374 miliardë lekëve.

Në raport me janar-nëntorin e vitit të shkuar, huatë janë zgjeruar me 42.5 miliardë lekë apo 12.8 për qind, shkruan A2.

Artur Ribaj, pedagog dhe ekspert i sistemit banker, u shpreh: “Kjo rritje tregon një besim më të madh të qytetarëve dhe biznesit ndaj sistemit bankar, por edhe një nevojë të shtuar për financim në një periudhë me inflacion të ulët dhe interesa më të qëndrueshme”.

Me ritme edhe më të shpejta se qytetarët, për të hapur biznese të reja apo zgjeruar ato ekzistuese, sipërmarrësit morën mbi 250 miliardë lekë kredi në 11 muaj. Pjesa tjetër e huave iu takon qytetarëve dhe institucioneve publike.

Artur Ribaj theksoi: “E gjithë kjo vjen pasi sektori bankar po e konsideron të sigurt kredi-dhënien për apartamente të reja. Gjithashtu, ka ndikuar edhe fakti që sistemi bankar ka sot mjaftueshëm likuiditet”.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se për blerje banesash, në 11-mujorin janar-nëntor, u morën në banka nga qytetarët mbi 60 miliardë lekë kredi: “Është një rritje që vjen edhe si reflektim i urbanizimit dhe migrimit të brendshëm. Shtimi i ndërtimeve ka gjeneruar kërkesë të lartë për kredi banesash, veçanërisht në qytetet e mëdha”.

Zgjerimi i kreditimit po ndodh në një kohë që Banka e Shqipërisë ka kufizuar dhënien e huave për blerje të banesave që prej korrikut.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos