Është i pamohueshëm fakti që 2025-a ishte një vit i mbarë për ekonominë. Pas disa goditjeve të njëpasnjëshme nga brenda e jashtë, më në fund vendi kaloi një vit më të qetë. Por po aq i pa-kundërshtueshëm është edhe fakti tjetër: 365 ditët e lëna pas nuk ishin të lehta për shqiptarët.
“Arka e shtetit mund të jetë mbushur, por jo xhepat tanë. Kriza e çmimeve po na merr edhe ato pak para që arrijmë të grumbullojmë gjatë vitit. Nuk besoj se viti tjetër do të jetë më i lehtë”, thonë për A2 CNN qytetarët.
Teorikisht, kur ekonomia e një vendi rritet, kjo rrjedhimisht përkthehet në më shumë mirëqenie për njerëzit. Kjo është një tezë tashmë e gjithë-pranuar në pjesën dërrmuese të ekonomive në botë. Por rritja ekonomike në Shqipëri nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për familjet dhe individët.
“Sepse rritja vjen nga sektorë ku nuk ka shpërndarje në popullatën e gjerë. Plus duhet të shtojmë që edhe politikat e qeverisë nuk është se kanë qenë me ndonjë karakter social domethënës. “Të ardhurat ngecin te përfituesit e mëdhenj. Nuk kemi tejçim të parave te shtresat e tjera. Kjo për shkak se vetëm 3 nga 12 degët e ekonomisë kanë performancë të mirë”, theksojnë qytetarët për A2 CNN.
Sytë tashmë janë te 2026-a. Me buxhetin dhe paketën fiskale që shoqëron atë tashmë të miratuar, qytetarët presin më shumë mirëqenie... rritje të pagave, pensioneve dhe përmirësim të shërbimeve publike.
“Ne vetëm krizë ndiejmë. Çmimet rriten, çdo gjë bëhet e papërballueshme. Të ardhurat tkurren se harxhojmë më shumë. rrogat janë në vendnumëro. Me të ardhurat që marr thjesht mund të hash bukë dhe të pish një kafe. Pagat janë të ulëta dhe mendimin e kam të iki jashtë. Synoj Gjermaninë”, shprehen qytetarët për A2 CNN.
Por që këto pritshmëri të realizohen duhet luftuar një nga plagët e cila është kthyer në sëmundje gati të pashërueshme për vendin në 35 vite tranzicioni.
“Mungesa e korrupsionit do të ishte fillimi i mbarë. Pastaj të tjerat vijnë vetë”, thotë një tjetër qytetar. (A2 Televizion)