Çdo fund-viti, pyetjet më të mëdha që ngrihen mbi ‘Buxhetin e Shtetit’, janë se ku do të shkojnë taksat, çfarë projektesh të reja do hapen, a do rriten rrogat apo pensione? Buxheti është dokumenti më i rëndësishëm publik i vendit, që projekton objektivat e zhvillimit në plane vjetore shpenzimi bazuar në të ardhurat që pritet të mblidhen nga bizneset dhe individët. Po a u ndanë në mënyrën e duhur mbi 9 miliardë eurot e “buxhetit më të madhe ndonjëherë”?
“Nuk pash një zë specifik në buxhet që të thoshte se ky zë po shkon për të stimuluar punësimin, të nxisim zhvillimin ekonomik, duam të mbështesim bizneset. Nuk i kishte të gjitha këto. Është një buxhet anormal. Është një buxhet që mendo për rritje, por jo për zhvillim ekonomik. Nuk mendon për punësim. Nuk mendon se çfarë do të bëhet me emigracionin, se si do të frenohet ai”, thotë për A2 CNN Klodian Muço, ekspert për ekonominë.
“Ka disa dukuri që po e vënë buxhetin në krizë dhe besoj se në të ardhmen do të bëhen edhe më të forta. Fakti që popullsia po plaket, numri i të moshuarave ka arritur në 700 mijë, rreth 12-14 mijë pensionistë i shtohen skemës. Vazhdimisht, buxheti është i kërcënuar për të financuar mbrojtjen sociale”, thotë Elona Hoxha, eksperte ekonomie.
Veçanërisht në dekadën e fundit, buxheti në dispozicion ka ardhur duke u zgjeruar, me një popullsi në rënie nga ana tjetër. Rrjedhimisht, të paktën teorikisht paratë në dispozicion për banorë janë shtuar. Por ajo që vijon të ndodhë është se buxheteve iu mungon një qasje e mirë-përcaktuar për të mbështetur sektorët që sjellin më shumë mirëqenie për qytetarët.
“Bujqësia për ne konsiderohet si sektor strategjik. Kontriburi i saj është 20 për qind në PBB. Në të punon e jeton 35 për qind e popullsisë. Ne vijojmë ta mbështesim pak, futur këtu edhe kushtet që IPARD është pezulluar”, shprehet Muço. “Ne e dimë që kemi rreth 40 për qind të popullsisë në varfëri dhe ato duhet të ndihmohen që të dalin nga aty. Po mbështetja më e mirë nuk është rritja e ndihmës ekonomike, por forcimi i ekonomisë në përgjithësi”, thotë Hoxha.
Në 10 vitet e fundit, madhësia e buxhetit është rritur me gati 70 për qind. Sigurisht që ky do të ishte një lajm vetëm i mirë nëse ai do t’i nënshtruar një procesi të gjerë diskutimesh e analizash. “Sepse për fatin e keq kultura e politikës shqiptare është e tillë që deputetët që janë në pushtet janë Yes man”, thotë Muço. “Unë them që minimalisht bujqësia duhet të ketë në dispozicion 800 milionë euro. e Theksoj. Minimalisht. Për të kapur ritmin e vendeve të tjera të Rajonit. Më tej në Europë jemi larg konkurrencës”, thotë Hoxha.
Pas miratimit nga shumica socialiste, ai është në duart e Presidentit për të marrë dekretimin e hyrjes në fuqi nga 1 janari i viti të ardhshëm. (A2 Televizion)