Qeveria ka skanuar situatën në terren me informalitetin, duke paralajmëruar bizneset që të vetërregullohen nëpërmjet deklarimit real të pagave, ose në të kundërt do të ketë masa të ashpra.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka konstatuar se nga 662 mijë vende pune të deklaruara, duke përjashtuar të vetëpunësuarit, 10% janë nën pagën minimale dhe 22.9 % janë me pagë minimale. Pra, në total janë mbi 217 mijë të punësuar me paga të ulëta deri në 40 mijë lekë ase rreth 33% e totalit të vendeve të punës.
Por në cilët sektorë janë këta të punësuar dhe që rrjedhimisht, kanë shkaktuar edhe informalitetin më të lartë?
Tatimet rendisin tregtinë, turizmin dhe ndërtimin, si sektorët më problematikë për sa i përket pagave të nëndeklaruara apo atyre në të zezë.
Por përse kemi këtë situatë në Shqipëri?
Arsyet janë disa, si eficenca e ulët e administratës; mjedisi i dobët i biznesit dhe nivelet shumë të larta të varfërisë; mungesa e besimit tek institucionet dhe perceptimi i lartë i korrupsionit; niveli i lartë i tatimit mbi pagat; burokracia dhe ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit fiskal.
Një ditë më parë, kryeministri Rama me ministrat Gonxhe dhe Hoxha në një takim me përfaqësues të biznesit la qartazi të kuptohet se informaliteti në paga nuk do të tolerohet më, pasi “po vidhen pensionistët”, siç u shpreh ai. Por si e ka përjetuar biznesi?
(A2 Televizion)