Një ngjarje tragjike ka ndodhur në autostradën Jaisalmer–Jodhpur në shtetin perëndimor indian të Rajasthanit, ku një autobus pasagjerësh u përfshi nga flakët, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 20 personave dhe plagosjen e mbi 10 të tjerëve.
Autobusi, i cili po transportonte 57 pasagjerë, shpërtheu papritur në flakë ndërsa ishte në lëvizje. Dëshmitarët raportojnë se fillimisht është vërejtur tym që dilte nga pjesa e pasme e automjetit. Shoferi ka reaguar menjëherë, duke ndaluar mjetin në anë të rrugës, por fatkeqësisht brenda pak minutash flakët kanë përfshirë të gjithë autobusin, duke bllokuar brenda shumë pasagjerë.
Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalet më të afërta për trajtim mjekësor. Autoritetet lokale kanë konfirmuar se numri i viktimave është 20 dhe për disa prej tyre po kërkohet identifikimi përmes testit të ADN-së, për shkak të djegieve të rënda që i kanë bërë të pamundur njohjen.
Sipas hetimeve paraprake, shkaku i incidentit besohet të ketë qenë një qark i shkurtër elektrik. Ndërkohë, hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar saktësisht shkaqet dhe për të parë nëse ka pasur neglizhenca në mirëmbajtjen e automjetit. (A2 Televizion)