Shtyhet sërish Censi i Bujqësisë: Nuk ka buxhet, do të realizohet vitin e ardhshëm

Nga Marjo Brakaj
15 Shtator 2026, 17:00 | Ekonomi

Shtyhet sërish Censi i Bujqësisë: Nuk ka buxhet, do të

Censi i bujqësisë dhe blegtorisë nuk do të mund të realizohet as këtë vit. Mungesa e buxhetit është arsyeja.

 “Duke qenë se ligji është miratuar në muajin gusht dhe aktualisht jemi në muajin shtator, procedura përkatëse nuk mund të përfundojë brenda vitit aktual. Afatet dhe hapat proceduralë të nevojshëm për zhvillimin dhe përfundimin e saj nuk lejojnë realizimin e procedurës brenda këtij viti. Në këto kushte, financimi dhe realizimi i procedurës do të parashikohen në buxhetin e vitit të ardhshëm, në përputhje me planifikimin buxhetor dhe fondet e miratuara për këtë qëllim.”, është shprehur INSTAT për A2CNN.

Numërimi dhe regjistrimi i bujqësisë dhe blegtorisë do të bëhet gjatë vitit të ardhshëm, pasi koha për të kryer procedurat për të zhvilluar këtë proces këtë vit është e pamjaftueshme.

Vonesat gjatë hartimit dhe dërgimit në Kuvend të projektligjit për CENS-in e bujqësisë bënë që ai të miratohej në seancë plenare në korrik 2026, duke mos i lënë kohën e mjaftueshme në dispozicion INSTAT-it për të kryer procedurat e nevojshme.

Censi i fundit për bujqësinë është bërë në vitin 2012 dhe, që prej vitit 2022, kur ishte afati i parë për të realizuar këtë numërim të ri, ky proces është shtyrë disa herë për arsye të ndryshme.

Brenda 4 javëve, përmes CENS-it, INSTAT synon të regjistrojë tokën bujqësore që mbillet, fermat bujqësore e deri te tufat e bagëtive.

Janë 3,400 anketues që do të dalin në terren për të numëruar çdo metër tokë që mbillet, çfarë kultivohet, sipërfaqen e fermave bujqësore, makineritë që përdoren e deri te të punësuarit në këtë sektor.

Kostoja për këtë Cens parashikohet në 1.1 miliardë lekë ose 11.7 milionë euro, me kursin e sotëm.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos