Teksa flakët po djegin gjithçka ju del para, bashkitë kanë hapur një “lumë” tenderësh për mbrojtjen nga zjarri. Si “ai që thur gardhin pasi i ku kali”, Bashkia Poliçan ka hapur një procedurë tenderuese për të riparuar zjarrëfiksen e vitit 1996 për ta pasur në gatishmëri në “luftën me zjarret”.
Flakët e zjarrit që gjunjëzuan kryesisht Gramshin e Delvinën kanë vënë në lëvizje dhe Lushnjën. Bashkia e këtij qyteti ka çelur një procedurë tenderuese për të blerë materiale të ndryshme për shërbimin zjarrfikës.
Edhe më emergjent është tenderi i shpallur nga Bashkia Klos që kërkon të lidhë siguracion vjetor jete për punonjësit operacional të shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
Në kryeqytet, Tirana po investon në solucion kimik – shkumë për fikjen e zjarreve – një përpjekje për të forcuar kapacitetet e zjarrfikësve dhe për të përballuar flakët që nuk presin askënd. Ndërsa pyjet digjen dhe tymi mbulon kodrat, blerja e këtij materiali synon të jetë një mburojë e vonuar, që tenton të ndalojë përhapjen e zjarreve dhe të shpëtojë atë që mund të shpëtohet.
Elbasani po përpiqet të mbulojë boshllëqet e mbrojtjes nga zjarret me një procedurë prokurimi me vlerë të vogël, për blerjen e pajisjeve ndihmëse dhe helmetave Një përpjekje që vjen vonë, por synon të forcojë Agjencinë e Mbikëqyrjes dhe Kontrollit për të përballuar flakët që tashmë kanë nisur të përfshijnë pyjet dhe kullotat e zonës.
Në Pustec nuk ka as uniforma për zjarrfikësit, ndaj bashkia ka hapur një tender për këtë qëllim.
Në fund, një e vërtetë mbetet e pakontestueshme: “Më mirë vonë se kurrë, por zjarri s’të pret.”
Tenderat hapen, kontratat firmosen, mjetet blihen, por flakët nuk presin askënd. Pyjet digjen, kullotat shkrumbohen dhe dëmet lënë gjurmë që nuk shlyhen lehtë. Një mburojë e vonuar nuk është e mjaftueshme për të ndalur një fatkeqësi që mund të ishte parandaluar, dhe kjo është leksioni që çdo bashki duhet ta mbajë mend për vitet që vijnë. (A2 Televizion)