Kriza e çmimeve që tronditi botën dhe që ishte pasojë e luftës në Ukrainë, që nisi në shkurt të vitit 2022, la pasoja të konsiderueshme, pavarësisht përpjekjeve të të gjitha qeverive dhe bankave qendrore për të minimizuar efektet, shkruan A2 CNN. Një situatë nga e cila nuk mund të shpëtonte Shqipëria, si një ekonomi e vogël dhe totalisht e ekspozuar nga ajo që ndodhte në botë, për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Por një ditë më parë, Instituti i Statistikave raportoi se inflacioni, treguesi që mat koston e jetesës në vend, zbriti për herë të parë pas 4 vitesh në 1.9%. Por a do të thotë kjo se cmimet kanë rënë dhe kriza ka kaluar? Vështirë të parashikohet, kur pasiguritë janë të mëdha.
Madje, në Shqipëri teksa inflacioni ka shfaqur shenja të forta rënëse, çmimet e ushqimeve kanë ndjekur një trajektore tjetër. Në shtator, grupi i ushqimeve është rritur me 2.7%, duke qenë 0.8% më i lartë se inflacioni i përgjithshëm dhe me rritje 0.3% çmimeve të ushqimeve në gusht.
Arsyeja kryesore e shtrenjtimit të ushqimeve është varësua shumë e madhe nga importet, në një kohë kur prodhimi vendas po tkurret dhe bujqësia është futur në një cikël të pashmangshëm rënës.
Në 8 mujorin e këtij viti, importet u rritën me 3.1% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe ushqimet ishin grupi i dytë me ndikimin më të madh, me 1.5%.
Për sa kohë situata e tensionuar vijon në një pjesë të globit, pasiguritë ekzistojnë.
Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë se risqet janë ende të pranishme dhe ato mund të materializohen tek çmimet e ushqimeve; karburanteve; energjisë dhe rritja e normave të interesit. (A2 Televizion)