112 milionë euro në pritje për fermerët, Malaj: IPARD III do të hapet në vitin 2026

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2025, 14:24 | Ekonomi

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në Komisionin e Bujqësisë se fondet e programit IPARD III, të cilat janë bllokuar që prej vitit 2023, pritet të hapen në vitin 2026.

IPARD ka qenë i suksesshëm si në fazën e parë, ashtu edhe në të dytën. Për shkak të disa parregullsive të konstatuara në fazën e dytë, Komisioni Evropian nëpërmjet DG Agri kërkoi një sërë masash që duhej të përmbusheshin nga qeveria shqiptare. Këto masa janë në proces dhe jam shumë optimist se do të përmbyllen me sukses. Më shumë detaje për këtë çështje do t’i japë ministri i linjës, por mund të them se IPARD III do të hapet gjatë vitit 2026”, u shpreh Malaj.

Sipas tij, në varësi të vlerësimit të Komisionit Evropian për përmbushjen e detyrimeve nga pala shqiptare, programi IPARD III do të japë një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale. Programi IPARD III, që pritet me interes të madh nga fermerët shqiptarë, parashikon një mbështetje prej 112 milionë eurosh, të shpërndara në nëntë fusha kryesore si infrastruktura rurale, ndërtimi i tregjeve bujqësore, agro-përpunimi dhe agro-turizmi, pylltaria, asistenca teknike dhe këshillimi për fermerët.

Komisioni Evropian ndërpreu mbështetjen për bujqësinë shqiptare në gusht të vitit 2023, pas hetimeve të OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit), e cila konstatoi keqpërdorime të rënda në programin e mëparshëm IPARD II.

Hetimet nisën pas denoncimeve të qytetarëve për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje politike në ndarjen e fondeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos