Duam të bëjmë biznes si Europa dhe bota, por inovacionin ende nuk po vlerësojmë si një element kryesor në zhvillimin e aktivitetit. Një ide, proces apo pajisje moderne është përdorur vetëm nga 42.9% e ndërmarrjeve shqiptare në vend.
Është mungesa e investimit nga institucionet por dhe adaptimi nga kompanitë shqiptare arsyet sipas ekspertëve të teknologjisë që po e mbajnë vendi tonë mbrapa në këtë drejtim.
“Edhe vet kompanitë edhe vet institucionet duhet ti japin prioritet teknologjisë t’i mësojnë njerëzit, t’i mësojnë t’i trajnojnë njerëzit. Dhe për ata do jetë kosto eficente pune”, tha Tomi Kallanxhi.
INSTAT bën të ditur se në më pak se gjysmën e bizneseve që përdorin inovacionin, janë sektori i shërbimeve që mbizotërojnë kryesisht ato në fushën e informacionit dhe komunikimit me 67,3%, ndërsa ato financiare dhe të sigurimit me 52,7%.
Nga ana tjetër, aktiviteti i inovacionit në sektorin e industrisë rezulton me 39,3%. Ishte izolimi i pandemisë sipas ekspertëve, që i shtyu shumë biznese por dhe grupmosha t’i drejtohen inovacionit.
“Pandemia i spostoi online të gjithë, duke bërë që edhe edukimi të jetë një evolucion drejt kësaj rruge të inovacionit”, shton Kallanxhi.
Por përveç përshtatjes së ngadaltë të inovacionit, ndërmarrjet shqiptare ngelen mbrapa edhe për kërkimin shkencor në zhvillimin e sektorit. 13.2% e tyre janë të përfshira në aktivitete të kërkim zhvillimit.
“Kërkimi shkencor sidomos në ndërmarrjet e prodhimit ka të bëjë me faktin se t’i duhet të kesh persona që merren me të dhe me zhvillimin e produkteve të reja. Në çastin kur shumica e ndërmarrjeve nuk merren me krijimin e produkteve të reja, por merren me tregti ose ofrim shërbimesh është e qartë se koncpeti që ata kanë sesi duhet të funksionoj kërkimi shkencor apo si duhet të penetrojë teknologjia në biznesin e tyre, është një qasje shumë e ngadaltë”, shprehet Erion Demiri.
Për të forcuar lidhjet mes biznesit dhe akademisë së shkencave, qeveria i ka dedikuar një buxhet kërkimit shkencor sa 0.03% e produktit të brendshëm bruto. Ndërsa renditet si e nevojshme zhvillimi i saj edhe në Strategjia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Teknologjinë 2023-2030.
(A2 Televizion)