GJK i ndërpret mandatin Bejtes, Berisha akuza Begajt dhe trupës kushtetuese: Poshtëruat shtetin

Nga Anesti Barjamemaj
17 Tetor 2025, 15:10 | Politikë

Pas dorëzimit në Kuvend të kërkesës për shkarkimin e kreut të shtetit, Sali Berisha vijoi akuzat ndaj Bajram Begajt. Në morinë e akuzave ndaj numrit një të shtetit, Berisha i shtoi edhe atë për çështjen e ripërtëritjes së Gjykatës Kushtetuese, ku Begaj vuri në lëvizje trupën kushtetuese për të shpallur përfundimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja.

Nga selia blu, lideri opozitar pohoi se ndaj Presidentit do të kërkohet edhe hetim penal, pasi sipas tij kreu i shtetit ka dashur të largojë anëtaren Sonila Bejtja nga Gjykata Kushtetuese.

“Kurrë ndonjëherë shteti shqiptar nuk është fyer dhe poshtëruar si dje. Por ç’punë ka Gjykata Kushtetuese të interpretojë për veten e vet? Dhe pse? Sepse i thotë Bajram Limioni. E kuptoni ju? Kjo është zero tolerancë ndaj mendimit ndryshe. Zero tolerancë ndaj pakicës”.

Jo vetëm me Begajn, por Berisha i pakënaqur ishte edhe ndaj vetë trupës kushtetuese, që vendosi që mandati i Bejtjes mbaron këtë vit.  

“Për të larguar nga Gjykata Kushtetuese armiken Sonila Bejtja, gjykatëse kushtetuese, e emëruar në vitin 2020 me dekret të presidentit Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese vendos duke shkelmuar mbi ligjin e vet të shpallë jashtë çdo lloj kompetence ndërprerjen e mandatit të saj”.

Duke cituar opinionin e Komisionit të Venecias për këtë çështjet, sipas liderit opozitar, Sonila Bejtja duhet të gëzonte një mandat të plotë, shkruan A2 CNN.

“Dhe vazhdon Komisioni i Venecias: Gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë mandat të plotë 9-vjeçar, edhe nëse janë mbledhur me njëfarë vonese. Ose nëse marrin një mandat që është ndërprerë para kohe”.

Vendimin e së enjtes, lideri demokrat e cilësoi si fyerja më e madhe që i është bërë vendit, pasi siç pohoi ai, u shkel jo vetëm Kushtetuta por u injoruan edhe opinionet e Venecias. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos