Kurti nuk i bashkohet tubimit të UÇK-së! Si e komenton ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Maqedonci?

Nga A2 CNN
17 Tetor 2025, 15:03 | Politikë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka komentuar mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti dhe Vetëvendosjes në tubimin e organizuar në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Në një intervistë për “Puls” në A2 CNN me gazetaren Bruna Çifligu, Maqedonci tha se protesta është më shumë një mesazh simbolik për bashkësinë ndërkombëtare, por nuk mjafton për të sjellë ndryshim real. “Nuk është një protestë që e bën ndryshimin. Duhet përpjekje e përditshme. Mbrojtja e luftës së drejtë të UÇK-së bëhet me diplomaci, jo vetëm në sheshe”, theksoi ai, shkruan A2 CNN.

Maqedonci shtoi se qysh nga dita e miratimit të Gjykatës Speciale, është vërejtur një qasje e njëanshme, e cila ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për ish-komandantët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Ai nënvizoi se kryeministri Kurti ka ngritur vazhdimisht këtë çështje në takimet me liderë botërorë, duke e quajtur gjykatën “të padrejtë dhe dënim për luftën çlirimtare”.

Megjithatë, ministri pranoi se lobimi diplomatik nuk ka qenë i mjaftueshëm, duke theksuar nevojën për një angazhim afatgjatë dhe të pandërprerë për të mbrojtur historinë dhe drejtësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos