Të huajtë mosbesues me Shqipërinë! Po marrim më pak investime nga jashtë, në 2023 vetëm e fondeve

Nga Marjo Brakaj
4 Korrik 2024, 16:36 | Ekonomi

Vitin e shkuar Shqipëria arriti të shfrytëzonte më pak se gjysmën e fondeve të huaja në dispozicion. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se nga më shumë se 45 miliardë lekë të planifikuara, në fund të vitit u morën vetëm 25.3 miliardë.

Të dhënat nga “financat” tregojnë se nuk u arritën të disbursoheshin 4.1 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes në investimin që do bëhej në repartin ushtarak të Tiranës për forcat e luftimit, ndërsa 1. 7 miliardë lekë nuk iu akorduan sërish Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është se nga viti në vit, Shqipëria po merr më pak financim të huaj. Nëse në 2018-n, vendi arriti të merrte më tepër se shuma e planifikuar, vitin e shkuar u mor vetëm 44.5 e fondit në dispozicion.  Kjo pasi sipas Komisionit Europian mungon transparenca dhe një pjesë e parave të shpenzuara nuk arrihen të justifikohen si në rastin e tërmetit.

“Shpenzimet e rindërtimit pas tërmetit nuk kishin transparencë pasi nuk u integruan në procedurat e rregullta të financave publike. Në vitet 2021 dhe 2022 këto janë rregulluar pjesërisht me ndryshime buxhetore në fund të vitit, duke përdorur tepricat e të ardhurave”, thuhet në deklaratën e Komisionit Europian.

Edhe më flagrante rezultoi situata me fondet e IPARD për bujqit shqiptarë. Hetimi i Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit Ekonomik doli në përfundimin se fermerëve u merreshin paratë ndërsa zhvilloheshin edhe konkurse të manipuluara me oferta false.

“Në raste të tjera kontratat janë dhënë pa konkurrencë ose përmes një konkursi të manipuluar me oferta falsë, ndërkohë që në disa projekte u gjetën çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale”, thuhet në deklaratën e OLAF.

Së fundmi për abuzim me fondet e huaja u arrestua nga Prokuroria e Posaçme ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, por në këtë rast si ish-drejtues i SASPAC, agjencisë shtetërore që menaxhonte fondet e donatorëve. Sipas Prokurorisë së Posaçme janë të paktën tetë shërbime për evente, që nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila më pas është kryer në mënyrë fiktive, për efekt dokumentacioni dhe pagese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos