Udhëtim romantik në Shqipëri, Shën Valentini, kërkesë në rritje për festa një ditore në mal dhe në jug

Nga Marjo Brakaj
14 Shkurt 2025, 14:43 | Ekonomi

Për shumë çifte, 14 shkurti nuk është vetëm një ditë normale në kalendar. Teksa një pjesë mjaftohen me lule e dhurata apo një darkë në restorant, të tjera çifte zgjedhin t’u largohen syve të njerëzve. Këtu alternativat janë më të kufizuara: udhëtim jashtë ose qëndrim në hotele me pishina dimërore apo shtëpi me qira ditore. Në mungesë të turistëve masivë si pasojë e dimrit, këto të fundit janë kthyer në më të pëlqyerat.

“Ndoshta lidhet me faktin që festa e Shën Valentinit është më intime, për sa kohë është festa e të dashuruarve. Me thënë të drejtën, vihet re një rritje e konsiderueshme e prenotimeve të hoteleve dhe apartamenteve me qira ditore”, tha për A2 CNN, Frenkli Prengaj nga një agjenci apartamentesh me qira ditore.

Referuar platformës AirBNB ku listohen kryesisht apartamentet me qira ditore, në Lëpushë e Theth apo Rivierën e Jugut me epiqendër Vlorën kapacitetet akomoduese janë zënë thuajse tërësisht. Tirana, Durrësi gjithashtu kanë joshur shumë çifte të reja.

Udhëtim romantik në Shqipëri, Shën Valentini,

“Apartamentet me qira ditore kryesisht merren nga ata që jetojnë në rrethe. Po ashtu ka edhe të huaj”.

Për shkak se 14 shkurti këtë vit përkoi me një ditë pune, agjencitë pohojnë se kërkesat për udhëtimeve nuk kanë njohur ndonjë rritje domethënëse.

“Ka një tendencë rritje normalisht, por kryesisht për pushimet në vend. Për udhëtimet jashtë nuk ka thuajse asnjë ndryshim nga ditët normale”, tha për A2 CNN, operatori turistik Ferjolt Ozuni.

Megjithatë, nuk kanë munguar as ata që kanë shfrytëzuar lejet dimërore për tu arratisur jashtë, qoftë edhe për pak ditë.

Udhëtim romantik në Shqipëri, Shën Valentini,

“E preferuara e madhe ka qenë Parisi. Kërkesa ka pasur gjithashtu edhe për Barcelonën e Madridin në Spanjë, por edhe Milanon e Romën në Itali. Në listë nuk mungon as Stambolli.” 

Teksa për një pjesë të shqiptarëve Shën Valentini është thjesht një ditë e më se e zakonshme, shpesh e shtrenjtë, festa aspak tradicionale çdo vit e më shumë, veç bizneseve të shitjes së luleve po i jep një hov industrisë së udhëtimeve dhe asaj akomoduese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos