Vala e krizës së çmimeve mund të ri-zgjohet ndaj, rënia e inflacionit këtë fillim-vit nuk duhet të na shtyjë nga optimizmi në eufori. Mesazhi që paralajmëron për “dhimbje koke” për konsumatorët vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin. Për herë të parë pas shtatë muaj, në mars indeksi i shtrenjtësisë së produkteve u rrit me 1.3 pikë për të shkuar në 118.3 pikë.
“Absolutisht! Fluktuacione ka gjatë vitit dhe kjo vërehet kryesisht te produktet e konsumit. Ne shohim me pozitivitet kur ka rënie edhe pse kjo nuk reflektohet në tregun tonë. Te ne reflektohet vetëm rritja”, tha Esmeralda Ballesha, eksperte e sektorit bujqësor.
Në një kohë që fermerët shqiptarë po derdhin qumështin në shenjë proteste ndaj çmimeve të ulëta që grumbulluesit kanë caktuar, bulmeti në botë po shtrenjtohet. Muajin e shkuar qumështi dhe nënproduktet e tij u shtrenjtuan me 3.5 pikë në krahasim me shkurtin. Kjo ecuri rrezikon të reflektohet shpejt edhe në Shqipëri.
“Ne jemi direkt të varur nga importi, kështu që reflektimi i rritjes së çmimeve është një skenar më se real”, shtoi Ballesha.
Pas shtatë muajsh në rënie, rritje kanë pësuar edhe çmimet e mishit. Indeksi i shtrenjtësisë te kjo kategori produktesh arriti në 113 pikë nga 111.1 pikë në shkurt.
“Për aq kohë sa bujqësia jonë nuk prodhon, ne e kemi braktisur ndaj tashmë jo vetëm nënproduktet, por edhe mishi po vjen nga jashtë. Ndaj ka rrezik për shtrenjtim të mëtejshëm”, deklaroi Ballesha.
Sinjalet për rikthim të valës së inflacionit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin vijnë në një kohë që në Shqipëri, Europë dje Shtetet e Bashkuara treguesi ka rënë në nivelet më të ulëta që nga tetori i vitit 2021. (A2 Televizion)