“Vendet e Europës do të hanë njëri-tjetrin”, eksperti zbulon ndikimin e tarifave të Trump edhe në Shqipëri

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2025, 19:29 | Ekonomi

Europa do të jetë humbësja më e madhe nga tarifat që presidenti Donald Trump synon të vendosë ndaj Bashkimit Europian. Kështu e parashikon situatën ekonomike në bllokun Europian, por me ndikim edhe në vendin tonë, ish-bankieri Ermanuel Bajra. Në studion e “Ditarit me Bruna Çifligun”, ai deklaroi se çdo transaksion me euron është në rrezik të tarifave. Sipas tij vendet e unionit do të hanë-njëri-tjetrin, pasi sipas tij Europa është e papërgatitur dhe nuk ka lidership as ekonomik, as politik.

“Vendet e unionit janë totalisht në panik se edhe strategjia e Europës është mediokre, është e papërgatitur, se nuk funksionon si një bllok i vetëm. Europa do të jetë humbësja më e madhe nga kjo dhe do hanë-njëri tjetrin, se nuk ka lidership as ekonomik, as politik në Europë. Çdo produkt që transaksionon me euron është në rrezik të tarifave, kurse në vendet si Çekia do të kenë efekt më të vogël. Çdo vend tjetër do të tarifohet, mund të shkojë 25% dhe kjo do të jetë fatale për Europën. Gjermania ka vështirësi të mëdha të eksportojë makineri të rënda dhe automjete se Kina është kundërpeshë në këtë industri. Alternativat duhet të jenë; një union më i fuqishëm sidomos në tregun e kapitaleve, po kjo është e vështirë të ndodhë, se Gjermania nuk ka para, Franca është në borxhe”.

Dhe sipas Bajras, problemi i qasjes tregtare me Kinën për Europën do të jetë humbja e sekreteve industriale apo akademike. 

“Problemi i qasjes me Kinën për Europën dhe Kanadanë kanë shumë sekrete tregtare. Ka mbrojtje intelektuale dhe Europa është e mbirregulluar në këtë drejtim. Nëse hap kufijtë dhe bën marrëveshje tregtare me Kinën, Kina do fuqizohet dhe Europa do të humbë sekretet industriale e ushtarake e akademike. Rreziku më i madh i Europës është ky. A do ta sakrifikojë Europa mbrojtën intelektuale të industrisë e akademisë së saj që të shkojë me Kinën. Unë nuk mendoj që kjo do ndodhë. Rreziku më i madh është për Amerikën se do keni një Kinë të ripozicionuar në Meksikë”, theksoi ai në A2 CNN.

Ish-bankieri thekson se shpresat janë që Trump të dështojë në këtë iniciativë, përndryshe pasojat do të jenë të dhimbshme. Në A2 CNN ai tha se nuk shikon zgjidhje optimale të shpejtë.

“Këto marrëveshje tregtare që kanë ndodhur në 20 vitet e fundit do të bien dhe krijohet arkitekturë e re e iniciuar nga BE me Kanadanë, Europën, Kinën dhe Brazilin që kanë fuqi tregtare. Por kjo merr kohë të gjatë. Europës do ti marrë  5 vjet për të negociuar shtet më shpejt. Unë nuk shoh zgjidhje optimale të shpejtë. Shpresat janë që Trump të dështojë me këtë iniciativë”.

I pyetur nëse do të ndihen në Shqipëri, tarifat që priten të vendosen ndaj Bashkimit Europian, ai tha se eksportuesit shqiptarë do të përballet me tarifa të paplanifikuara nga BE. Sipas tij gjasat janë që Shqipëria të ketë marrëveshje bilaterale me Kinën.

"Jo edhe shumë se masa e eksporteve në SHBA është më e vogël, por pasojat do të vijnë pas 6 muajsh e një viti kur eksportuesi shqiptar do të përballet me tarifa të paplanifikuara nga BE, se BE duhet të justifikojë koston e tarifave amerikane me koston e vendeve që nuk janë pjesë e BE. gjasat janë që Shqipëria të ketë marrëveshje bilaterale me Kinën”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos