Turistët duan të hanë shqip ndaj jepuni atyre prodhime “bio”. Me sloganin “Zgjidh të vendit”, qeveria iu kërkon bizneseve në sektorin e turizmit të mos importojnë nga jashtë, por të grumbullojnë ushqimet e fermerëve shqiptarë.
“Duke qene se në Shqipëri tani ka ardhur Europa dhe bota, nuk kemi pse ne të vemi në botë kur bota po vjen këtu. Kështu që për këtë qëllim do të donim ndihmën tuaj për të rritur sa më shumë shitjet e produkteve “Made in Albania”, tha drejtuesja e AIDA, Laura Saro.
Kjo në një kohë që pritshmëritë nga turizmi janë zgjeruar edhe më tej... tashmë për 15 milionë pushues dhe 7 miliardë lekë të ardhura.
“Dua të theksoj se sot janë 250 mijë vende pune afërsisht që krijohen direkt dhe indirekt nga turizmi. Një në pesë shqiptarë punon sot direkt ose indirekt në sektorin e turizmit. Promovimi i produkteve vendase do të nxiste një efekt zinxhir që do të rriste mirëqenin dhe prodhimin përtej turizmit duke krijuar më shumë ë ardhura edhe në sektorë të tjerë” , u shpreh ministri Gonxhja.
Agroturizmet, si segment i rëndësishëm i turizmit, po përjetojnë rritje të shpejtë. Ofrimi i ushqimit cilësor, natyrës dhe kostove të arsyeshme janë avantazhe që po sjellin shkëlqimin e sotëm.
“Ne sot numërojmë mbi 270 agroturizme dhe deri në viti 2030 duam të arrijmë në mbi një mijë. Ndaj me këto flukse turistësh që po vijnë, është shumë e rëndësishme për ta bërë të mundur”, tha zv.ministri Civici.
Ndërkohë teksa pranon shkallën e lartë të informalitetit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kërkon nga strukturat akomoduese që të regjistrohen.
“Viti 2023 u mbyll me 1700 hotele dhe struktura akomoduese të kategorizuara, por në treg janë dyfishi i kësaj shifre të cilat i ftoj të vini e ti regjistroni pranë MTM pasi do të keni edhe përfitime. 6% e taksimi në strukturat akomoduese nga 20 për qind që është në bizneset e tjera”, shtoi ministrja Kumbaro.
Turizmi është një shans i mirë për bujqësinë, vlerësojnë njohës të sektorit. Por me zhvillimet aktuale në bujqësi, veçanërisht ato në drejtim të financimit, më shumë se sa prodhimi vendas, të gjitha gjasat sinjalizojnë për zgjerim të importeve. (A2 Televizion)