Një operacion anti-drogë është finalizuar në Tiranë, i koduar ‘Destinacioni 3’, ku në pranga ranë tre shtetas për trafik groge.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se të arrestuarit ishin pjesë e një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike kanabis nga Tajlanda drejt Shqipërisë, përmes shërbimit postar.
Ndërkohë sipas Policisë, në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar sasia prej 520 gramësh me përqindje të lartë THC, me vlerë 11 000 euro, shuma parash, aparate celulare, sende me vlerë dhe prova të tjera material.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të të gjithë autorëve të dyshuar.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Destinacioni 3”.
Goditet një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike kanabis nga Tajlanda drejt Shqipërisë, nëpërmjet shërbimit postar.
Sekuestrohet sasia prej 520 gramësh me përqindje të lartë THC, me vlerë 11 000 euro, shuma parash, aparate celulare, sende me vlerë dhe prova të tjera materiale.
Vihen në pranga 3 shtetas.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si rezultat i veprimeve të kryera me metoda proaktive, kanë finalizuar një tjetër operacion në kuadër të goditjes së trafikimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
I. P., 25 vjeç,
R. Z., 25 vjeç,
E. K., 25 vjeç,
të tre banues në Tiranë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë trafikuar lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC nga Tajlanda në Shqipëri, me anë të shërbimit postar.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia. (A2 Televizion)