Plumba, ndjekje dhe rrahje, policia arreston autorët e sulmit ndaj Edison Tiranës

Nga Senad Nikshiqi
16 Nëntor 2025, 09:28 | Kronikë

Plumba, ndjekje dhe rrahje, policia arreston autorët e sulmit ndaj Edison

Policia vendore e Shkodrës ka identifikuar dhe arrestuar autorët e ngjarjes së mbrëmshme që qëlluan me armë zjarri dhe goditën me sende të forta shtetasin Edison Tirana.

Efektivët kanë bërë ndalimin e dy vëllezërve Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj, banues në fshatin Pjetroshan të Malësisë së Madhe ndërsa është shpallur në kërkim nipi i tyre.

Këta dy shtetas dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri pistoletë automjetin e shtetasin Edison Tirana, 42 vjeç banues në fshatin Trush të njësisë Bërdicë në Shkodër dhe më pas e kanë rrahur atë.

Konflikti mes tyre ka nisur që në doganën e Hanit të Hotit për çështje parakalimi. Dy automjetet kanë parakaluar disa herë njëra tjetrën ndërsa kanë bërë edhe një debat fillimisht mes tyre.

Pas parakalimeve, në afërsi të rrethrrotullimit të Koplikut, shtetasit Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme automjetin tip Benz të Edison Tiranës.

42 vjeçari nga plumbat që ka marrë edhe në gomat e makinës ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën e një karburanti. Edison Tirana ka dalë nga automjeti dhe është futur në një tokë aty afër për t’i shpëtuar ndjekjes së autorëve.

Autorët e dyshuar i janë vënë pas dhe pasi e kanë gjetur në vendin ku tentoi të fshihej e kanë goditur me sende të forta duke i shkaktuar dëme në trup.

42 vjeçari Edison Tirana rreth orës 19:30 u paraqit në spitalin e Shkodrës ndërsa është jashtë rrezikut për jetën dhe pasi mori mjekim dha dëshminë e tij në polici duke treguar konfliktin që nisi për parakalimin që nga dogana e Hanit të Hotit.

Policia nisi menjëherë punën duke arritur të identifikojë autorët e dyshuar dy vëllezërit Gjovalin dhe Pëllumb Gjekaj ndërsa shpalli në kërkim nipin e tyre.

Efektivët vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 15 nëntorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos