Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Krenar Ahmeti, ngriti akuza të forta për mungesën e sigurisë në zonën e aeroportit, ku ndodhi atentati i fundit që ka tronditur vendin. Gjatë intervistës në “Terminal” me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNN, Ahmeti deklaroi se rrethi i aeroportit, një zonë me rëndësi të lartë strategjike, rezultoi i pambuluar nga shërbimet e sigurisë, pavarësisht pretendimeve institucionale për masa të rrepta monitorimi.
Sipas tij, territori përreth aeroportit përbën një nga perimetra më të planifikuara për shërbime sigurie në vend, ku duhet të jenë të pranishme disa struktura njëkohësisht: forcat e rendit me kompetencë territoriale, policia e kufirit, shërbimet antikontrabandë si dhe shërbimet e inteligjencës shqiptare e të huaja. Megjithatë, Ahmeti thekson se në pamjet filmike duket qartë se zona ka qenë “e zbrazur”.
“Imagjinojeni të gjithë atë aeroport për të cilin bëhet propagandë se kalojnë miliona turistë. Edhe pse ndodhet në një prej zonave më të mbuluara teorikisht me shërbime, në momentin e atentatit rezulton se aty nuk ka pasur asnjë forcë që të reagojë” u shpreh ai.
Ahmeti hodhi poshtë edhe versionin zyrtar se gjithçka ka ndodhur brenda “110 sekondave”, duke argumentuar se kohëzgjatja e operacionit ishte shumë më e madhe. Ahmeti theksoi se, nga momenti i ndalesës së makinës, te kryerja e atentatit e deri te djegia e automjetit të autorëve, ka kaluar rreth një orë e gjysmë, një interval ku policia ka pasur kohë reale për të ndërhyrë.
“Është e pamundur që ngjarja të ketë zgjatur vetëm 110 sekonda. Pse nuk llogaritet koha që makina priti, koha e veprimit dhe momenti derisa u dogj automjeti? Në total, bëhet fjalë për rreth një orë e gjysmë. Kjo është flagrancë, dhe policia ka pasur mundësi të reagojë në çdo fazë”, shtoi ai, përcjell A2 CNN.
Ai vlerësoi se ngjarja përbën një shkelje të rëndë të sigurisë kombëtare, pasi incidenti ndodhi në një objekt të rëndësisë së veçantë, ku çdo cenim reflekton drejtpërdrejt në besueshmërinë e institucioneve që duhet ta garantojnë atë. “Siguria është diçka shumë fine. Kjo që ka ndodhur është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë. Janë cenuar elementë të sigurisë kombëtare. Kjo zonë duhet të ishte fokus i qeverisë, por ajo merret vetëm me propagandë”, tha ai. (A2 Televizion)
