Prokuroria e Posaçme SPAK kërkoi dënime të reja me burg, 127 vite në total, për disa emra të njohur të botës së krimit, të pandehur në një prej fraksioneve të dosjes “Revanshi”.
12 të pandehurit në këtë proces akuzohen si anëtarë grupesh kriminale të përfshirë në sigurimin e kushteve për vrasjen e disa personave, mes të cilëve ish-deputetit socialist Arben Ndoka dhe vëllezërve Durim e Valter Bamit.
Hetimi i kësaj dosjeje u bazua në të dhënat e zbuluara nga komunikimet në aplikacionin SKY ECC, të ofruara nga agjencitë partnere, shkruan A2.
Në pretencën e lexuar të mërkurën, SPAK kërkoi dënimin me 15 vite burg për Emiliano Shullazin. Aktualisht, Shullazi po vuan një dënim me burg për “gjobëvënie” e “grup kriminal”, ndërsa po gjykohet në një tjetër proces në Gjykatën e Posaçme si i dyshuar për “vrasje”.
E njëjta masë dënimi, 15 vite burg, u kërkuan edhe për Astrit Avdylin, një nga eksponentët kryesore të grupit të Avdylajve në Shijak. Të dy akuzohen për përgatitje kushtesh për eleminimin fizik të vëllezërve Bami, ngjarje e parealizuar.
Po për këtë episod kriminal, SPAK kërkoi dënim me 9 vite burg për Naim Stafukën dhe 10 vite për Blerim Abazin. Gjergji Cukali, i njohur si i forti i “Myslym Shyrit”, rrezikon një dënim me 10 vite e 6 muaj burg, si përgjegjës për përgatitjen e kushteve për vrasjen e Elvis Gacajt dhe Altin Getës. Për të pandehurit Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja, SPAK kërkoi dënim me 9 vite burg.
SPAK pretendon se është provuar fakti se Rraja ka siguruar kushte për vrasjen e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka. Eleminimi i Ndokës nuk u realizua, ndërsa ish-deputeti është i shpallur në kërkim për llogari të të njëjtit hetim.
Në të njëjtat konkluzione SPAK i faturoi nga 10 vite burg të pandehurve Besian Xhixha, Enver Diva e Robert Laçi, të akuzuar për krijim kushtesh për vrasjen e Preng Gjinit, i cili i mbijetoi një atentati me eksploziv në automjetin e tij shtatorin e vitit 2020 në Tiranë.
Nga një dekadë burg dënim u kërkua nga SPAK edhe për të pandehurit Viktor Imeraj e Stiliano Basho, nën akuzë për sigurim kushtesh për vrasjen e Fatmir e Armando Hysenit. Për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar, të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit të kërkuar.
Në seancën e radhës, të caktuar më 13 maj, pritet të dëgjohen konkluzionet e mbrojtjes.
(A2 Televizion)