Vrasja e çiftit Mujeci, gjendet Audi që dyshohet se u përdor nga vrasësit

Nga A2 CNN
29 Prill 2026, 14:50 | Kronikë

Vrasja e çiftit Mujeci, gjendet Audi që dyshohet se u përdor

Policia e Lezhës ka arritur të gjejë në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore, në tokë arë, pranë një kanali, automjetin tip “Audi A4”, i cili dyshohet se është i përfshirë në dinamikën e ngjarjes dhe se është përdorur nga bashkautorët, të cilët kanë pasur rolin e vëzhguesve të lëvizjeve të viktimave.

“Gjatë këqyrjes së tij, brenda automjetit u gjetën dokumentacione që u përkisnin autorëve të shpallur në kërkim. Me qëllim kryerjen e verifikimeve më të specializuara, automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike. Ndërkohë, në mënyrë intensive dhe të pandërprerë, vijon kontrolli i zonave për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të shpallur në kërkim”, tha policia.

Një ditë më parë, policia arriti të gjejë një prej makinave të përdorura nga autorët e vrasjes së çiftit Mujeci të dielën e kaluar në Balldren të Lezhës, raporton A2 CNN. Mjeti Volksëagen Golf 5, pa targa, i përdorur nga qitësit është gjetur i fshehur në zonën e Torovicës.

Për këtë vrasje, policia ka shpallur në kërkim Adriano Mhillaj, 22 vjeç, Florin Mhillaj, 36 vjeç dhe Renato Mhillaj, 23 vjeç. Sipas autoriteteve, ky i fundit, djali i Genc Mhillit, i vrarë 10 vite më parë, ka marrë hakun e të atit, pasi për ngjarjen akuzohej edhe Kreshnik Mujeci.

Sipas hetimeve, fisi Mhillaj ka zgjedhur të marrë hakun duke mos i besuar drejtësisë, por duke vepruar sipas kanunit, pa kursyer as bashkëshorten e objektivit të tyre.

Mujeci dhe bashkëshortja e tij u qëlluan me armë zjarri ndërsa ndodheshin brenda automjetit të tyre, kur po ktheheshin nga një drekë në Lezhë për të shkuar drejt banesës në fshatin Koljakaj. Autorët vepruan me dy automjete dhe ishin të pamaskuar. E gjithë skena e krimit është fiksuar nga kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes duke e bërë më të lehtë zbardhjen e krimit nga policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos