1.436 vepra penale të evidentuara dhe 247 në pranga, policia e Tiranës bën bilancin e një muaji

Nga A2 CNN
13 Qershor 2026, 11:08 | Kronikë

1.436 vepra penale të evidentuara dhe 247 në pranga, policia e

Mbi 1.400 vepra penale dhe 247 persona janë arrestuar ose ndaluar përgjatë muajit maj dhe dy javëve të para të qershorit. Është ky bilanci i bërë publik nga drejtori i Policisë së Tiranës Oliger Torba, në një konferencë për shtyp, sipas gjatë kësaj periudhe janë finalizuar 58 operacione policore kundër kriminalitetit.

“Gjatë muajit maj janë evidentuar 1436 raste të veprave penale të ndryshme, prej të cilave janë zbuluar 1331, ose 92.6%. Për këto vepra penale janë identifikuar 1376 autorë të dyshuar, nga të cilët 247 janë vënë në pranga (arrestuar ose ndaluar), 1055 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 60 janë shpallur në kërkim. Gjatë kësaj periudhe janë finalizuar 58 operacione policore për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, goditjes së lojërave të fatit, call-centerave, prostitucionit, krimeve ndaj personit dhe pronës etj.”, njoftoi drejtori Torba.

Ndër operacionet më të rëndësishme ai përmendi 4 fazat e operacionit “Zonat”, për goditjen e shpërndarjes së drogave në afërsi të shkollave dhe në zona të ndryshme të Tiranës. Në kuadër të operacioneve kundër shpërndarjes së drogës janë sekuestruar mbi 2.7 kilogramë kokainë dhe heroinë, ndërsa në operacione të tjera janë sekuestruar 17 armë zjarri, granata dhe lëndë plasëse.

Kreu i policisë së Tiranës raportoi gjithashtu arrestimin e 46 personave në kërkim kombëtar dhe 6 të tjerëve në kërkim ndërkombëtar. Në fushën e krimit ekonomik u evidentuan 168 raste, ndërsa u goditën edhe dy baza falsifikimi dokumentesh, ku u arrestuan katër persona.

Sipas tij, problematikat kryesore gjatë kësaj periudhe kanë qenë siguria rrugore, konfliktet ndërmjet shtetasve për motive të ndryshme, rastet e dhunës në familje, si dhe kultivimi i bimëve narkotike në zona të ndryshme të qarkut.

“Gjatë muajit maj dhe dy javëve të para të muajit qershor janë trajtuar në total 2156 konflikte, nga të cilat 90 konflikte në familje, ndërsa 2066 për motive të ndryshme.

Sa i përket sigurisë rrugore, gjatë muajit maj janë konstatuar 6.214 shkelje, ose rreth 1.900 më shumë se një muaj më parë. Megjithatë, në Tiranë u regjistruan 53 aksidente rrugore, tre prej të cilave me pasojë humbjen e jetës së tre personave”, theksoi Torba.

Gjithashtu, në fushën e krimit ekonomik e financiar janë evidentuar 168 raste me 197 autorë, nga të cilët 36 janë arrestuar, 151 janë proceduar dhe 10 janë shpallur në kërkim.

Në drejtim të goditjes së prostitucionit janë finalizuar dy operacione të koduara “Flats” dhe “Foleja”, ku janë arrestuar 5 shtetase të huaja.

"Janë zhvilluar 6 faza të operacionit të koduar “Stolen Line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, ku janë sekuestruar 6 automjete me vlerë nga 50.000 deri në 500.000 euro. Për këto raste janë proceduar 6 shtetas.

Janë evidentuar dhe goditur 3 raste të mashtrimit për të përfituar shuma parash, duke u prezantuar si zyrtarë apo të afërm të personave që mashtroheshin, për t’u marrë shuma të konsiderueshme në euro", theksoi ai.

Për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore janë goditur 123 raste, janë evidentuar 143 autorë, nga të cilët 10 janë arrestuar, 127 janë proceduar dhe 6 janë shpallur në kërkim.

Policia e Tiranës theksoi se sfidë vijon të mbetet lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike. Për këtë arsye, kontrollet në terren, monitorimi me dronë dhe veprimet hetimore janë intensifikuar në të gjithë territorin e qarkut.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos