Specialistët e Krimeve në kryeqytet kanë referuar materialet në prokurori për shtetasin Jetmir Llanaj, i cili ndodhet aktualisht pas hekurave, si dhe për një 16-vjeçare, e cila është viktimë e përndjekjes.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Llanaj, së bashku me një person ende të paidentifikuar, kanë përndjekur të miturën, e cila ka përjetuar një gjendje të rënduar psikologjike dhe është vetëdëmtuar lehtë me mjet prerës.
Gazetari i A2CNN, Igli Çelmeta, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, dha detaje mbi këtë ngjarje.
“Ditën e djeshme, në komisariatin numër 5 në Kamëz, një 16-vjeçare ka shkuar në komisariat për të bërë denoncim për një person që, sipas saj, e ka përndjekur. Bëhet fjalë për një person i cili ndodhet i burgosur për një vepër tjetër penale dhe pas informacioneve bëhet fjalë për 46-vjeçarin Jetmir Llanaj, i cili është i arrestuar me datë 6 mars nga Policia e Lezhës për gjobëvënie. Ai i vendoste gjoba bizneseve në qytetin e Lezhës. Po ashtu, ky person ka qenë i dënuar më parë, pasi është hakmarrë për vrasjen e djalit të tij 9-vjeçar. Sipas hetimive të deritanishme nga Policia e Tiranës, dyshohet që 46-vjeçari gjatë periudhës së muajit korrik, me anë të një shtetasi tjetër, pra nga burgu, ka përndjekur 16-vjeçaren, pasi dyshohet që në kohën që ka qenë jashtë burgut ka pasur njohje me 16-vjeçaren dhe e mitura, e traumatizuar dhe në gjendje të rëndë psikologjike, ka komunikuar këtë fakt tek prindërit e saj dhe këto të fundit kanë shkuar ditën e djeshme në komisariatin numër 5 në Kamëz për të bërë për denoncim ndaj 46-vjeçarit dhe një personi tjetër ende të paidentifikuar nga policia, i cili dyshohet që ka qenë personi që ka ndjekur 16-vjeçaren për llogari të 46-vjeçarit, i cili ndodhet në burg”, tha Çelmeta.
“Gjatë momenteve që është marrë në pyetje nga oficeret e komisariatit numër 5, gjendja shëndetësore psikologjike e 16-vjeçares ka qenë e rënduar dhe ka goditur edhe një nga oficerët e policisë që po e merrnin në pyetje. Madje, më parë ka tentuar të çajë edhe veten e saj me xham dhe për këtë arsye ajo ndodhet nën kujdesin e psikologëve dhe familjarëve të saj. Do të merret në pyetje në një moment të dytë, pasi ende policia nuk e ka të qartë të gjithë ngjarjen dhe për këtë arsye ende nuk është identifikuar personi i dytë i cili për llogari të 46-vjeçarit ka përndjekur të miturën jo vetëm pranë banesës së saj, por edhe pranë shkollës që frekuentonte”, shtoi gazetari i A2.
(A2 Televizion)