Vatrat e zjarrit në Shëngjin vijojnë të jenë aktive, por situata deri më tani duket në kontroll. Në një lidhje direkte me “Debat” nga Alba Alishani, ekipi i A2 CNN sjell detajet nga vendngjarja.
Siç raportoi gazetari Armend Pire rreth 40-50 automjete zjarrfikëse ndodhen në gatishmëri teksa era shpërndan shkëndijat e zjarrit.
Ndërkohë, 90% e zonave turistike janë evakuuar nga Shëngjini. Shqetësues mbetet fakti që vatrat e zjarrit mund të riaktivizohen nga era, por edhe prania e disa cisternave me gaz apo lëndë të tjera djegëse.
Situata do të monitorohet gjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa sipas parashikimeve, pritet që fuqia e erës të ulet në mesnatë.
Ekipet e zjarrfikësve po shpresojnë që me uljen e intensitetit të erës të kenë mundësi që të ndërhynë në mënyrë më efektive gjatë orëve të para të mëngjesit. (A2 Televizion)