
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, tha se Policia e Shtetit e ka të pamundur të shmangë vrasjet tragjike si ato që ndodhën brenda një dite në muajin tetor, pavarësisht punës së mirë që ka bërë.
Gjatë një raportimi në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Koçiu komentoi 3 ngjarjet tragjike të ndodhura në 28 tetor, ku 3 persona humbën jetën brenda pak orësh si pasojë e 3 ngjarjeve banale.
“3 vrasje në ditë... Për hir të të vërtetës, janë tre krime tragjike, që nuk janë vrasje mafioze. Për fat të keq janë ngjarje të pashmangshme nga puna që bën përditë Policia e Shtetit. Unë nuk besoj se ka ndonjë vend të botës ku polici rri në kuzhinë për të parandaluar që djali të godasë babain me thikën e bukës, apo ndonjë vend të botës kur polici rri në kuzhinën e restorantit për të parandaluar picierin të godasë më thikë kuzhinierin... Janë absolutisht ngjarje tragjike, por për të cilat nuk implikohet puna e Policisë së Shtetit. Patjetër që autorët janë kapur menjëherë pasi ngjarjet kanë ndodhur”, tha ministrja, përcjell A2 CNN.
Seanca dëgjimore ishte thërritur pas kërkesës së deputetëve të opozitës, të cilët kishin shprehur shqetësim për sitautën me krimin në vend, por Koçiu tha se siguria në vend është rritur.
“Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, 95% zbulueshmëri për veprat penale. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më parë”, shtoi ajo.
Çfarë ndodhi më 28 tetor 2025?
Rreth orës 13:00, 69-vjeçari Pjetër Kodheli u gjet pa shenja jete në banesën e tij, në zonën e Kodrës së Kuajve, në fshatin Shkallnur të Durrësit. Policia zbuloi se vrasjen e kishte kryer djali i tij Marjan Kodheli, 25 vjeç, i cili u arrestua pas rreth dy orësh.
Rreth orës 15:00, në Berat, në lagjen “Kala”, një 63-vjeçar, Kristo Mema, goditi për vdekje me thikë turistin 42-vjeçar, Keli Hoxha nga Tirana. Konflikti nisi për një kalë që Mema përdorte për turistët, të cilin vajza e mitur e viktimës e kishte përkëdhelur.
Rreth orës 15:00, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, picieri Filip Shehu, 41 vjeç, vrau me thikë kuzhinierin Indrit Ismaillari, 34 vjeç, në lokalin ku punonin të dy, pasi dyshohet se viktima e kishte bullizuar për kohë të gjatë. Autori u arrestua menjëherë në vendngjarje. (A2 Televizion)
