Në 5-vjetorin e SPAK, përmes zv.ndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor, Departamenti Amerikan i Shtetit, përcolli mesazhin për nevojën e zgjatjes së mandatit 9-vjeçar të prokurorëve të posaçëm.
“Për t’u siguruar që SPAK do të vazhdojë pa ndërprerje luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të ardhmen ne besojmë se prokurorët e SPAK duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Dështimi për të realizuar këtë rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare dhe rrezikon humbjen e profesionistëve tuaj më me përvojë dhe njohuriuve të tyre institucionale”, Kasanof.
Zgjatja e mandatit, përmes mundësisë së riaplikimit, është kërkuar më herët në Kuvend edhe nga ish-kreu i SPAK, Arben Kraja dhe nga drejtuesi aktual, Altin Dumani, për shkak se për të realizuar atë duhet të bëhen ndryshime ligjore. Kreu i SPAK tha se 5-vjecari i parë i institucionit kishte dhënë mesazhe të qarta, shkruan A2.
“Ne kemi hetuar zyrtarë të të gjitha niveleve, prokurorë, gjyqtarë, ish-funksionarë të lartë të policisë dhe politikanë si dhe grupe e organizata kriminale duke dhënë një mesazh të qartë se drejtësia nuk njeh anë dhe kahe dhe se nuk ka të paprekshëm, nëse ligjet e këtij vendi cenohen, shkelen, nëpërkëmben. Ne kemi forcuar bashkëpunimin institucional me agjenci ligjzbatuese vendase e të huaja. Dhe sipas tij, kjo nuk kishte ardhur pa vështirësi dhe kosot.
“Korrupsioni apo krimi nuk mund të zhduken brenda ditës; jemi përballur me përpjekje për ta minuar punën tonë, me fyerje, shpifje, kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë. Por përballë tyre jemi mbledhur bashkë, si një trupë e vetme kolegësh. Kemi kuptuar sa e rëndësishme është pavarësia e institucionit, ku ushtrojmë detyrën dhe sa i vyer është integriteti i gjithsecilit nga ne. Nëse dikush mendon ndryshe, gaboheni! Jemi betuar për t’i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë”.
Kreu i delegacionit të BE, Silvio Gonzato, nënvizoi se vetëm në pak vite SPAK është sinonim i suksesit në Shqipëri, por sipas tij, duhen hedhur sytë edhe drejt së ardhmes. “Nuk duhet të flemë mbi dafina, rezultati i procesit të anëtarësimit në BE do të vazhdojë të mbështetet te kapaciteti dhe puna që do bëjë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Duke sekuestruar e konfiskuar këto pasuri që janë vënë në formë të paligjshme” Gjatë 5 viteve të para të funksionimit, SPAK ka regjistruar gati 1809 hetime për gati 2500 persona, si edhe ka sekuestruar dhe konfiskuar mbi 182 milionë euro asete, të siguruara përmes mjeteve të paligjshme. (A2 Televizion)