Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 18 muaj burg të dhënë nga Shkalla e Parë për Alda Klosin, ish-zyrtaren e ministrisë së Financave, të akuzuar për “fshehje të pasurisë”. I pa ndryshuar mbeti edhe dënimi me 4 vjet e 8 muaj për Rozeta Dobin dhe atë me 3 vjet e 4 muaj burg për djalin e saj Havier Dobi, të fajësuar për “vjedhje”.
“Strumbullari” i historisë që çoi në dënimin e tyre ishte një denoncim i Alda Klosit për vjedhjen e 120 mijë eurove në banesën e saj. Shuma u pranua të ishte marrë nga sanitarja Rozeta Dobi, e cila kishte inskenuar një grabitje.
Por më vonë, pas përgjimeve të policisë dhe një kontrolli të dytë në banesën e saj, u gjetën gati 400 mijë euro të tjera të fshehura në tubin e aspiratorit, të cilat Klosi nuk pranoi t’i quante të sajat. Por Dobi deklaroi para autoriteteve se paratë ishin të Klosit.
Alda Klosi, ish-shefja e kabinetit të ish-ministrit Arben Ahmetaj, u arrestua në shkurt të një viti më parë me akuzën e pastrimit të parave, shkruan A2
Ajo ra pre e vjedhjes nga sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi. Ish-zyrtarja deklaroi se 120 mijë eurot që ia kishin vjedhur, ishin të familjes së xhaxhait të saj, Ylli Çika, që jetonte në Amerikë, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer. Ai ndërroi jetë më 18 janar, raporton A2.
Klosi pretendoi para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait për mobilimin e shtëpisë apo dhe për t’i ruajtur ato. Por burime jo zyrtare thanë për A2 CNN se familja e Ylli Çikës ish-kirurg dentar, nuk ka pasur dijeni lidhur me deklarimet e Alda Klosit në polici dhe prokurori, ndërsa kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë histori.
Pas arrestimit të sanitares dhe djalit të saj, policia gjeti në shtëpinë e familjes Dobi dhe 400 mijë euro të tjera të fshehura në tubin e aspirimit. Vetë Rozeta Dobi tha se paratë i kishte marrë në shtëpinë e Klosit.
(A2 Televizion)