
Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësori ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Kavajë-Rrogozhinë. Policia ka shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme drejtuesin e makinës, shtetasin me inicialet R.Q., 39 vjeç.
“Rreth orës 20:15, në aksin rrugor Kavajë–Rrogozhinë, në afërsi të mbikalimit të Gosës, automjeti me drejtues shtetasin R. Q., 39 vjeç, ka aksidentuar një këmbësor ende të paidentifikuar. Si pasojë e dëmtimeve të marra, këmbësori ka ndërruar jetë në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e shtetasit që humbi jetën, si dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit. (A2 Televizion)