Papërgjegjshmëria pas timonit vijon të marrë jetë njerëzish në vendin tonë. Kësaj radhe, çmenduria e një drejtuesi autoveture ka shokuar Shkodrën mëngjesin e të enjtes.
Si pasojë e përplasjes së fortë të dy mjeteve, një 50-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident janë plagosur, shkruan A2.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti të ndodhur në një prej rrugëve kryesore të Shkodrës.
Por, ajo që duket në pamje të parë është që i dyshuari si shkaktar i këtij aksidenti, drejtuesi i autoveturës Mercedes Benz ngjyrë e zezë, ka qenë në një parakalim dhe me shpejtësi të lartë, duke mos shmnagur dot përplasjen thuajse ballore me automejtin tip Ford që po ecte në kahun e tij.
Fatkeqësisht, në këtë përplasje pasojat më të rënda i mori një drejtues biçiklete, që mbeti viktimë e kësaj ngjarje.
Ky është një tjetër aksident fatal si shumë të tjerë që kanë ndodhur kohët e fundit në vendin tonë, edhe në qëndra të banuara, ku papërgjegjshmëria pas timonit po kushton jetë të pafajshme që kanë qenë duke përdorur rrugën ose edhe trotuaret. (A2 Televizion)