I dënuar për vrasje në Shqipëri, rikthehet ilegalisht në Britani edhe pse ishte dëbuar një herë

Nga A2 CNN
21 Maj 2026, 12:59 | Kronikë

I dënuar për vrasje në Shqipëri, rikthehet ilegalisht

Afrim Sinani, një shqiptar i dënuar për vrasje, është rikthyer sërish në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se një dekadë pasi ishte dëbuar, zbuloi një investigim i mediave britanike.

Sinani, sot 54 vjeç, u dënua në Shqipëri me 20 vjet burg në vitin 1996 për një vrasje për hakmarrje, shkruan “Daily Mail”, transmeton A2. Pasi u arratis nga burgu, ai hyri ilegalisht në Britani në vitin 2000 me një kamion. Përmes identitetit të rremë si “Afrim Pulaj” dhe duke pretenduar rrejshëm se ishte refugjat nga Kosova, ai përfitoi azil, pasaportë britanike dhe rreth 120 000 paund ndihma sociale. Pas një kërkimi shumëvjeçar, ai u lokalizua në Ilford dhe u ekstradua drejt Shqipërisë në vitin 2010.

Pavarësisht dëbimit, Sinani është rikthyer sërish pranë familjes së tij, e cila lejohej të qëndronte në Britani. Ai u pikas së fundmi në rrugët e Londrës veri-lindore, ku jeton në një banesë sociale në një zonë ku pronat arrijnë vlerën mbi 400 000 paund.

Sipas të dhënave, Sinani u lirua nga burgu në Shqipëri në vitin 2017, por mbetet mister se si dhe kur arriti të futej sërish në territorin britanik. Për të mbajtur një profil të ulët, ai lëviz kryesisht në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë, në vitin 2021, një kompani ndërtimi u regjistrua në emër të bashkëshortes dhe djalit të tij në të njëjtën adresë.

Ministria e Brendshme britanike deklaroi se mbetet e përkushtuar për largimin e shpejtë të kriminelëve të huaj. Ndërkaq, Sekretari i Brendshëm në Hije, Chris Philp, reagoi ashpër duke thënë: “Ky kriminel duhet të deportohet urgjentisht”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos