
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur këtë të enjte kalimin për gjykim të dosjes penale në ngarkim të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho.
Llaho akuzohet për veprat penale “korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, në bashkëpunim, si edhe “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ish-prokurorët dyshohen se janë përfshirë në një rast korrupsioni që lidhet me zbutjen e masës së sigurisë ndaj shtetasit Pando Papuçi, i shpallur më herët në kërkim për ndërtim pa leje. Ky i fundit, pasi iu shmang drejtësisë për rreth dy vite, u arrestua dhe më pas doli para gjykatës për rivlerësimin e masës së sigurisë, shkruan A2CNN.
SPAK dyshon se zyrtarë të përfshirë në çështje i kanë kërkuar para Papuçit në këmbim të ndërhyrjeve në procedurat gjyqësore me qëllim lehtësimin e masës së sigurimit.
Gjykata e Posaçme, pas shqyrtimit të pretendimeve në seancën paraprake, vendosi pranimin e kërkesës së SPAK dhe dërgimin e çështjes për gjykim për të pandehurit Kledian Llaho, Vasil Bakalli, Pando Papuçi dhe Çlirim Shahini.
Gjithashtu, gjykata bëri me dije se dosja do të shqyrtohet nga një trup tjetër gjykues, ndërsa vendimi nuk lejon ankim. (A2 Televizion)