Alarm i rremë për lëndë plasëse: Evakuim i menjëhershëm dhe masa maksimale sigurie

Nga A2 CNN
25 Prill 2026, 21:39 | Kronikë

Alarm i rremë për lëndë plasëse: Evakuim i

Një alarm për vendosjen e një sasie lënde plasëse në Qendrën Tregtare “Toptani” ka rezultuar i rremë, por ka vënë në lëvizje të menjëhershme të gjitha strukturat e sigurisë të këtij subjekti si dhe autoritetet përkatëse.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 20:10, shefi i sigurisë së qendrës ka njoftuar Policinë pasi kishte marrë një e-mail ku pretendohej se ishte vendosur eksploziv.

Menjëherë është zbatuar protokolli i emergjencës ku ambientet janë evakuuar në mënyrë të organizuar, duke ruajtur qetësinë dhe sigurinë e klientëve dhe stafit.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kryen kontrolle të imtësishme në të gjithë perimetrin e qendrës.

Pas verifikimeve, nuk u konstatua asnjë element i rrezikshëm, duke konfirmuar se bëhej fjalë thjesht për një alarm të rremë.

Qendra “Toptani” reagoi në përputhje të plotë me standardet e sigurisë, duke dëshmuar përgjegjshmëri maksimale ndaj klientëve të saj.

Evakuimi i shpejtë, koordinimi me autoritetet dhe menaxhimi pa panik i situatës treguan një nivel të lartë përgatitjeje dhe përkujdesjeje.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për identifikimin e personit që ka dërguar emailin e rremë, ndërsa rikujton se përhapja e lajmeve të rreme apo alarmet e pavërteta përbëjnë vepra penale dhe sjellin pasoja serioze.

Ky rast vjen në një kohë kur autoritetet janë përballur me disa sinjalizime të rreme ditët e fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos