
Ndryshime në zinxhirin komandues janë ndërmarrë në sistemin penitenciar në vend, konkretisht në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Fushë-Krujë dhe Durrës.
Në IEVP Fushë-Krujë është emëruar drejtor Ervis Dedej, i cili zëvendëson Apostol Lucën. Po ashtu, në detyrën e shefit të Policisë së Burgjeve është emëruar kryekomisar Fatjon Sadikaj.
Ndërkohë, në IEVP Durrës është emëruar drejtor Serjan Mazrreku, pas ndarjes nga jeta të Edmond Llabanit disa ditë më parë. Shef i Policisë në këtë institucion është caktuar kryekomisar Florian Masha.
Sipas njoftimit zyrtar, këto lëvizje synojnë rritjen e sigurisë, përmirësimin e menaxhimit dhe forcimin e kontrollit në institucionet penitenciare, si dhe vendosjen e standardeve më të larta në funksionimin e tyre.
Njoftimi i plotë:
Në kuadër të rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të menaxhimit në sistemin penitenciar, janë ndërmarrë ndryshime në drejtimin e disa Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Në IEVP Fushë-Krujë është riorganizuar zinxhiri komandues, duke u liruar nga detyra drejtori Apostol Luca. Në këtë detyrë është emëruar z. Ervis Dedej, me eksperiencë të gjatë në sistemin e burgjeve. Gjithashtu, Shef i Policisë është emëruar kryekomisar Fatjon Sadikaj, me mbi 20 vite përvojë në Policinë e Burgjeve.
Ndërkohë, në IEVP Durrës është emëruar drejtor z. Serjan Mazrreku, me eksperiencë në administratë dhe në fushën ligjore, si dhe Shef i Policisë kryekomisar Florian Masha, me karrierë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit.
Këto lëvizje synojnë forcimin e përgjegjshmërisë, rritjen e kontrollit dhe vendosjen e standardeve më të larta në funksionimin e institucioneve penitenciare. (A2 Televizion)